Në kryeqytet prej disa kohësh tashmë, zor se gjen një pallat pa administrator. Nuk ka rëndësi nëse janë objekte të vjetra të ndërtuara para viteve ’90 apo të ndërtuara së fundmi. Qytetarët e Tiranës janë të detyruar të paguajnë administratorin e pallatit, i cili do të përgjigjet për çdo problematike që haset në mjediset e përbashkëta.
Erind Bejko, Drejtor i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, në një intervistë për Dritare.net, tregon rëndësinë e të pasurit administratorë në pallate.
“Në Tiranë, shumica e pallateve nuk kanë pasur administrator. Ishin thjesht një turmë njerëzish të paregjistruar asgjëkund, të vetë emëruar apo të vendosur nga firmat e ndërtimit. Në pak vende, kemi gjetur administratorë që ishin me konsensusin e shumicës. Por, nuk është kjo demokracia.
Deri më tani, ne kemi licencuar afro 600 administratorë. Në disa pallate, procesi ka dështuar në fazën e parë, pasi banorët nuk e gjejnë dot fjalën, janë indiferentë dhe nuk shkojnë fare në mbledhje. Në këtë rast, ne kemi për detyrim të çojmë kompanitë e administrimit.
Ne kemi hyrë në të paktën 3 mijë pallate, prej të cilave afro 1500 janë të vjetra dhe 1500 janë të reja. Nevojat për arsyet e amortizimit, sigurisht që i kanë pallatet e vjetra, apo dritaret e thyera, suvaja e prishur, çatia apo metodat që janë ndërtuar, janë të vjetra, e kanë nevojë për përkujdesje.
Kurse pallatet e reja, kanë një element shumë të rëndësishëm, që është ashensori. I cili ka nevojë për mirëmbajtje, kolaudim, për motor të ri etj. Një tjetër problem është lagështira, e ne na vijnë të paktën 10 ankesa në ditë, për këtë gjë. Andaj ky instalimi i sistemit të mirëmbajtjes në qytet, është shumë i rëndësishëm.
Nëse ka një emergjencë civile, një përmbytje, apo problem të caktuar, më parë nuk dije kë të telefonoje. Kurse sot, ne kemi hartën me të dhënat e administratorëve, kryetarin e kryesisë etj”, thotë ai.
Shefja e sektorit përgjegjës, Klodiana Bici, shpjegoi për Dritare.net mënyrën e përzgjedhjes së administratorëve, duke theksuar abuzimet që bëhen me ata që vetshpallen dhe nuk kanë një licencë.
“Pallatet janë në fazën e regjistrimeve, ndaj është ende një proces i gjatë. Është Asambleja, e cila jep propozimet e veta për administratorin dhe i lihet detyrë Kryesisë që të lidhë kontratën me administratorin e zgjedhur. Pra, janë vetë banorët e pallatit që e zgjedhin personin që do t’i përfaqësojë. Ndaj, edhe konfliktet shmangen.
Detyra e Bashkisë është të zgjedhë Kryesitë në një afat të caktuar. Por, për ne është shumë e rëndësishme edhe nevoja që kanë njerëzit për një administrator. Për të pasur një person, të cilit t’i qahet për problemin e ashensorit, tarracës, parkimit, pastërtisë etj. Paralelisht ne kemi ecur dhe me lincencimin e administratorëve, po ashtu edhe me lidhjen e kontratave.
Abuzimet më tepër kanë ardhur, me ata që quhen administratorë dhe janë vetëshpallur, duke mos pasur asnjë licencë. Sepse ai administratori i zgjedhur tashmë, nëse bën një shkelje, e del Kryesia e pallatit që e vërteton, ata na nisin shkresën. Në bazë të ligjit ne kemi të drejtën ta lajmërojmë, t’i çojmë një letër dhe t’i heqim licencën.” Erind Bejko i bën thirrje administratorëve të bëhen pjesë e fondit të komunitetit, si edhe të nisë mbjellja e pemëve në të gjitha pallatet. Pasi e rëndësishme që të gjithë të bëjnë diçka për komunitetin që i rrethon. Sepse një shtëpi e mirë, nuk është veç brenda katër mureve.
“I bëjmë thirrje të gjithë administratorëve të aplikojnë në fondin e komunitetit, ku Bashkia së bashku me banorët, në ndarje të barabartë, do të bëjë termoizolimin, rregullimin e tarracës, shkallëve etj.
Është bërë virale sot që të gjithë administratorët po mbjellin pemë dhe deri në datën 21 mars ne jemi duke mbjellë në çdo pallat. Nuk ka rëndësi, nëse janë 5, 10 apo 15, e rëndësishme është të bëhet diçka që t’i japë frymë edhe mjedisit përreth,”- përfundon Bejko.