Erion Ylli nuk është vetëm një ish-drejtues i lartë i Top Channel, por edhe një mik i vjetër i familjes së themeluesit të medias më të madhe elektronike private, Dritan Hoxhës. Në 20 vjetorin e Top Albania Radio, Erion Ylli kujton momentet kur nisi rrugën projekti mediatik i Hoxhës, që do të kthehej më pas në një pol të madh mediatik në rrafsh kombëtar.
Ja postimi i tij i plotë
20 vjet më parë Ditan Hoxha nuk mendonte si shumë njerëz, që të ikte nga Shqipëria. Ai kishte vendosur që e ardhmja e tij dhe familjes së tij të ishte këtu. Në jetë po vinte Top Albania Radio dhe vajza e tij e 3-të e pagëzuar me emrin Redia, nën muzën e krijesës së tij mediatike. Mes miqsh, shumica gazetarë të njohur të kohës, 20 vite shkuar, Tani diskutonte në “Bar West” idetë e tij. Kishte projektuar gjithçka. Top Albania Radio ishte gati dhe nga virtualiteti po shndërrohej në realitet. Nuk ishte thjeshtë një radio, ishte një vizion, një epokë e re që po lindte. Ishte një kohë kur gjithçka ishte si bardhë e zi e plot skepticizëm. Por kjo nuk e ndalte Tanin të besonte te ëndrra e tij plot ngjyra e pasion. Ishte si një cetrifugë, energjia e jashtëzakonshme e Tanit, që rrëmbeu brenda saj ata që ai i shihte si bashkërrugëtarët e kësaj ëndrre. Radioja e Tanit, duhet të ishte unike, duhet të ishte një model, më e mira dhe e pakonkurrueshme. Fati deshi të isha bashkëudhetar në këtë rrugëtim të mrekullueshëm dhe të papërsëritshëm, falë mundësisë që Tani krijoi për shumëkënd prej nesh. Tashmë ishim bërë pjesë e një revolucioni të pandalshëm. I besonim çdo hapi të tij, çdo vendimi, çdo nisme dhe projekti që ndërmerrte. Ai e vendoste dhe e bënte. Për Tanin nuk kishte “jo”, nuk kishte “nuk bëhet” apo “nuk mundemi”. Ai iu dha besim njerëzve dhe krijoi besim tek ata. Top Albania Radio ishte pikënisja e një kantieri të madh mediatik, të cilin Tani e ideoi dhe realizoi sipas mënyrës së tij. Ai ishte UNIK! Nuk u ndal, nuk u thye dhe nuk u tremb kurrë nga sfidat. Forca e tij kishte në themel të saj ndershmërinë, pasionin e besimin. Ishte një LIDER I LINDUR . Nuhaste e zgjidhte të duhurit dhe atë që duhej, në kohën e duhur. Dinte të motivonte e të krijonte skuadër. Dinte kur të ishte kritik, autoritar, por njëherësh edhe njerëzor. Me bashkëpunëtorët ndante çdo çast profesional, emocion e sukses personal njëlloj si në një familje të madhe. Ai krijoi një perandori mediatike, që vijon të ekzistojë falë themeleve të tij. Sa shumë krenari, kujtime e gëzime na ke dhuruar.
Gëzuar 20 Vjetorin Top Albania Radio!
FALEMINDERIT TANI!
THE SHOW MUST GO ON!