Ambasadorja e delegacionit të BE në vendin tonë Romana Vlahutin ka kërkuar hetime të thella sa i përket anëtarëve të organizatave kriminale dhe kujtdo që shkel ligjin, pavarësisht funksionit që ka kushdo prej tyre.
Gjatë fjalës së saj në konferencën për nisjen e programit europian PAMECA V në mbështetje të policisë, Vlahutin bëri të qarta se duhet të bëhen hetime pro-aktive për të goditur elementët më të rëndësishëm të grupeve kriminale të kultivimit të kanabisit.
“Në 2017 ne kemi parë për herë të parë një rënie drastike të prodhimit të kanabisit, por ne presim raportin e Guardia di Finanza në verën që vjen, në mënyrë që të sigurohemi që fitorja të jetë afatgjatë. Ne gjithashtu kemi parë një numër operacionesh të suksesshme policore në Shkodër, Fier, Lezhë dhe qytete të tjera që kanë goditur grupet kriminale. Ne po shohim më në fund më shumë vendosmëri në konfiskimin e aseteve kriminale. Dhe unë besoj se ky është vetëm fillimi, që përfundimisht duhet të forcohet dhe të ndiqet nga operacione të ashpra që duhet të godasin interesat kyçe të krimit. Në këto përpjekje është thelbësore puna e prokurorisë. Dhe ne të gjithë presim për rezultate më efiçente të hetimit të krimit.
Nuk ka njerëz që nëse kanë kryer krim të jenë mbi ligjin, pavarësisht emrit apo funksionit të tyre. Është përgjegjësi e prokurorisë për t’u siguruar që ata të shkojnë në gjyq. Për të qenë më e qartë, duhet të ketë prova të qarta, të plota për hetime pro-aktive, procedime dhe në fund, dënime ndaj grupeve të organizuara kriminale, duke përfshirë edhe anëtarët më të rëndësishëm të grupeve që merren me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, ende duhet të pëcaktohen si një çështje urgjente”, tha ambasadorja Vlahutin.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj vlerësoi rolin e rëndësishëm që PAMECA ka luajtur me asistencën e saj në hartimin e Dokumentit Politik të Prioriteteve të Ministrisë së Brendshme.
“Në vijim, për jetësimin e këtij dokumenti dhe rekomandimeve të mësipërme, u konceptua dhe nisi puna për Operacionin “Forca e Ligjit”. Puna që është bërë për përgatitjen e bazës ligjore dhe operacionale, pa të cilën do të kishte qenë e pamundur nisja e Operacionit “Forca e Ligjit”, është edhe kontribut i një asistence të nisur që më herët, nga grupi i partnerëve ndërkombëtarë. PAMECA natyrisht ka qenë pjesë aktive e çdo tryeze konsultimesh, teksa kemi vlerësuar dhe reflektuar komentet mjaft të vlefshme të saj të dërguara në nëntor 2017, mbi draft-planin e veprimit. Vlerësoj gjithashtu kontributin e ekspertit të PAMECA-s pranë Task Forcës Speciale lidhur me përgatitjen e bankës së pyetjeve të nevojshme, lidhur me procesin e rekrutimit të ekspertëve të Task Forcës Speciale”, tha ministri Xhafaj.
Ai theksoi se programi PAMECA ka një rol kyç në thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe vendeve partnere të Bashkimit Europian në luftën kundër krimit të organizuar.
“Kam qenë gjithmonë i bindur se shumë nga sfidat që has sot konsolidimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë sfida, jo vetëm për autoritetet shqiptare, por dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Në përballje me fenomenin e krimit transnacional, përherë kam mbështetur nevojën e një koncepti të ri të bashkëpunimit mes autoriteteve tona ligjzbatuese dhe vendeve e institucioneve partnere europiane. Në këtë drejtim, domosdoshmëri parësore mbetet konsolidimi i besimit mes palëve. Roli i çmuar i misioneve të asistencës si PAMECA, në mbështetje të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për të forcuar më tej nivelin e këtij besimi”, shtoi ministri i Brendshëm.
a.ç