Nga Enkel Demi
Duhet thënë që Shqipëria ende nuk e ka pranuar të heqë përdorimin e emrin “Çamëri” në tekset shkollore të historisë dhe gjeografisë. Por, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe kryeministri Edi Rama e kanë marrë në konsideratë këtë alternativë që kënaq marrëzinë greke. Në të gjitha qasjet e tyre në publik, ata janë shprehur për “territore shqiptare” në Greqi dhe jo për Çamërinë, duke bërë një matje të opinionit. I vetmi politikan që vuri alarmin për këtë punë ishte Shpëtim Idrizi, i cili tha disa ditë më parë se ta harrojnë ata që duan të sajojnë një gjë të këtillë.
Meqë shqiptarët nuk shquhen për ndjenja të larta patriotike, veç kur luan Kombëtarja, është e mira të bëhet një shpjegim i thjeshtë. Të mos përdorësh emrin “Çamëri”, është të shuash një histori që vjen nga lashtësia. Krahina e ka marrë emrin nga lumi Thiam, i cili në të folmen e shqiptarëve bëhet “çam”. Në këtë krahinë, ku gjendet lumi Thiam (sot lumi Kalama) dhe lumi Akheron (sot lumi i Gliqisë ose lumi i Frarit) janë thurrur mitet e lashtësisë. Atje gjendet Orakulli i Dodonës (shih studimet e profesor Arsim Spahiut) që shihet si paraprirësi i Olimpit. Lumi Akheron është lumi që dërgon shpirtrat në ferr, ndërsa Homeri është lindur dhe rritur pikërisht në këtë krahinë të pellazgëve, ilirëve dhe shqiptarëve. Aty janë thurrur legjendat, përrallat, mitet, këngët dhe vallet.
Sipas Greqisë tani duhet t’u themi fëmijëve që vallja e Osman Takës është e territoreve shqiptare në Greqi. “Tumankuqja” e territoreve shqiptare në Greqi, suljotët janë të territoreve shqiptare në Greqi. Duhet t’u themi që Sami Frashëri në veprën e tij “Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe gjeografisë” botuar në Stamboll në vitin 1889 nuk foli për Thesprotinë/Çamërinë, por për territore shqiptare në Greqi. Hasan Tahsini nuk lindi në Ninat të Çamërisë, por në territore shqiptare në Shqipëri, meqë bashkë me Konispolin gjeneral Telini na e la në Shqipëri. Dhimitër Pasko, ose si e njohim Mitrush Kuteli është shkrimtar me rrënjë nga territoret shqiptare në Greqi, Koli Idromeno, arkitekti, piktori, fotografi i Shkodrës nuk duhet thënë që i ka rrënjët në Çamëri, sepse duhet shpjeguar që ashtu si Princesa Dora D’Istria ose Elena Gjika janë nga territoret shqiptare në Greqi.
I bie sikur nesër mos të themi Dibër e Madhe, por territor shqiptar në Maqedoni ose dje mos të thonim Dardani (Kosovë), por territor shqiptar në Jugosllavi.
E parashtruar kështu të del përpara një çmenduri e çartur, por që në Ballkan përherë mbin dhe merret seriozisht.
Edi Rama dhe Ditmir Bushati e kanë jetike ftesën e negociatave për në Bashkimin Europian për ekzistencën e tyre në pushtet. Si gjithë udhëheqësit shqiptarë të derisotëm që qeverisin keq e mos më keq, edhe kanë vetëm një rrugë shpëtimi, ta kërkojnë këtë të drejtë me të lypur. Meqë janë të pazotët të ndërtojnë një sistem të besueshëm demokratik, me rregulla të qarta të tregut të lirë, ata po kërkojnë të avisin me Europën republikën më kriminale të korrupsionit, trafikut të drogës, vrasjes dhe pasigurisë, duke vënë kujën e lypjes. Kaq ia kanë kuptuar dhe fqinjët tanë, grekë, të cilët u kanë çelur derën gjithëfarësoj pazareve që për Shqipërinë nuk janë tradhëti, por eleminim kombëtar, ku skuadra e pushkatimit përbëhet nga vetë qeveria e Tiranës.
Sërish nga një letër e zotit Kotzias drejtuar Parlamentit grek mësojmë se Çështja Çame është hapur në tryezën e bisedimeve, por jo për ta zgjidhur, por për ta zhdukur nga faqja e dheut. Këta tanët nuk e kanë pranuar deri tani, por nuk është vështirë të thyhen, përderisa për këtë propozim të frikshëm nuk kanë thënë gjysëm fjale dhe kanë heshtur si hesht i vdekuri në varr, aty ku duan të groposin Çamërinë.