Joni, tregtar prej vitesh i luleve, ka një dyqan të shitjes me pakicë të luleve në rrugën e Durrësit. Ai tregon për Monitor se në 3 vitet e fundit fluksi i punës është rritur ndjeshëm dhe kjo sepse tek shqiptarët (jo vetëm Tirana) po rritet tradita e dhurimit të luleve.
Lulëzimi i biznesit të luleve
Biznesi i tregtimit të luleve dhe kultivimit të bimëve ka shënuar një rritje të fortë në tre vitet e fundit, duke reflektuar një tendencë të shqiptarëve drejt natyrales, dhurimit të luleve në raste gëzimesh e fatkeqësish, tendencës së bizneseve për tu kujdesur për ambientin përreth dhe projekteve të punëve publike për zbukurimin e qyteteve.
Sipas të dhënave të Doganës, importet e Pemëve dhe bimëve, rrënjëve, luleve dhe gjetheve zbukuruese, u rritën me 27 për qind krahasuar me një vit më parë. Që prej vitit 2013, importet e këtij grupi janë rritur me ritme dy shifrore (shiko grafikun).
Gjatë 2017-s importet e luleve tejkaluan vlerën e 1 miliardë lekëve. Ndërkohë që muajt të cilat importet janë më të larta në vlerë janë pikërisht ato të festave, dhe më të ulëta gjatë muajve të verës kur prodhimi vendas është edhe më i lartë. Vetëm gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit që lamë pas u importuan mbi 300 milionë lekë lule. Meshkujt shqiptarë duket se janë bërë më romantikë vitet e fundit, teksa edhe në shkurt 2017 importet u rritën me 45%.
Aktorët e tregut thonë se fluksi i punës është shtuar, por njerëzit kërkojnë buqeta lulesh më ekonomike dhe kërkojnë që të shpenzojnë më pak.
Italia mbetet importuesi kryesor i luleve në vend. Importet nga ky shtet gjatë 2017-s kanë një vlerë prej 507 milionë lekësh. Ndërsa Holanda renditet e dyta me 256 milionë lekë, thuajse gjysmën e vlerës së importeve nga Italia.
Greqia është vendi i tretë për sa i përket peshës së importeve. Lulet e importuara prej Greqisë gjatë vitit që lamë pas kapin vlerën e 121 milionë lekëve.
Gjithsesi prodhimi vendas mbetet modest
Valbona prej pesë vitesh kultivon 4 dynym tokë me trëndafila në një fshat të Durrësit. E megjithatë duhet të presë prillin që të dalë në treg. Duke parë trendin dhe mungesën e prodhimit vendas të luleve, kur u kthye nga emigrimi në Itali, vendosi që në tokën që kishte në pronësi të mos mbillte kulturat e zakonshme bujqësore, por trëndafila. Valbona tregon për Monitor se më së shumti ka punë me Tiranën. Gjatë sezonit të lules ajo është furnizuese e shumë dyqaneve të kryeqytetit.
Për të prodhuar gjatë gjithë vitin kërkohen investime të mëdha në teknologji dhe në sera bashkëkohore, të cilat nuk mund t’i mbulojë financiarisht. Kjo edhe për shkak të sipërfaqes së vogël që ka në pronësi, ndërsa bashkëfshatarët nuk janë të interesuar për këtë lloj kulture, në mënyrë që të përfitohet nga ekonomitë e shkallës. Shembull është Holanda, ku edhe pse klima nuk është aspak e favorshme për kultivimin e trëndafilave, aktualisht vendi është një ndër distributorët më të mëdhenj në botë, së bashku me Afrikën dhe Ekuadorin.
Specialistët e fushës së kultivimit tregojnë se dimri është koha kur lulet importohen pothuajse tërësisht, pasi në vend kultivimi i tyre bëhet në mënyrë artizanale dhe kjo pengon rritjen e tyre në të gjitha stinët. Me kalimin e viteve, kompanitë e mëdha i kanë sofistikuar metodat e rritjes.
Në verë, çmimi i luleve bie ndjeshëm për shkak edhe të rritjes së prodhimit.
Joni, tregtar lulesh, tregon se kryesisht lulet i merr nga jashtë, edhe pse më shtrenjtë.
“Tentova të marr trëndafila të prodhuar në vend, por për shkak të teknologjisë, lulet e prodhuara në vend nuk janë të standardizuara. Duhet shtuar se prodhimi vendas është sezonal- tregon Joni për Monitor.