Eksperimenti i një mësueseje britanike ka rezultuar një mësim me vlerë për nxënësit e saj 6-vjeçarë, por edhe për më të rriturit. Një vit më parë, Robyn Lillian vendosi t’u mësonte nxënësve të saj rrezikun e postimit të fotove në rrjetet sociale.
Në shkurt të vitit 2017, ajo postoi në profilin e saj foton e një qeseje me mollë për të ndjekur “fatin” e postimit në rrjet. “Dua t’u mësoj fëmijëve të një klase me 6-vjeçarë rrezikun e ndarjes së fotove me të tjerët në rrjetet sociale. Një prej tyre më dha idenë të postoj foton e një qeseje me mollë, pasi nuk përbën asnjë rrezik. Në fund të fundit, mollët nuk i interesojnë askujt në rrjet. Ju lutem, më ndihmoni të provojmë se sa shpejt mund të shpërndahet kjo foto thjesht nëpërmjet opsioneve “pëlqej”, “komento” dhe “shpërndaj”, duke shkruar qytetin nga ku më ndiqni”, shkroi ajo në profilin e saj.
Në vetëm pak orë, në lidhje me foton pati reagime nga çdo cep i botës, çka i dha mundësi saj t’u tregonte nxënësve fuqinë që ka rrjeti. Dy ditë pas postimit, fotoja ishte shpërndarë 22 mijë herë dhe mijëra komente ishin bërë poshtë saj. Mësuesja pati mundësinë t’u tregonte nxënësve një hartë ku shënoheshin qytetet nga ku njërzit kishin komentuar. Ajo u shpjegoi fëmijëve rëndësinë e të pasurit miqësi virtuale vetëm me njerëz që i njohin vërtet nga afër dhe që disa prej tyre nganjëherë mund të mos jenë ata që duken.
Nxënësit e kuptuan menjëherë mësimin. Pasi u pyetën se çfarë mësimi dilte nga ky eskperiment, ata thanë: “Mendo para se të postosh”, “Mos posto gjëra që nuk do të t’i shohin të tjerët”, “Me opsionin screenshot, kushdo mund t’i ruajë fotot e tua për gjithë jetën”, “Kur e poston një foto, nuk mund ta kthesh mbrapsht”.
Pavarësisht se qëllimi i mësueses ishte ta mbante foton vetëm një javë në profil për të parë reagimet, për shkak të shpëndarjes masive vendosi ta ruajë si shembull të rreziqeve potenciale që fsheh rrjeti.
Një vit pas postimit, fotoja qëndron ende në murin e mësueses britanike dhe ka arritur mbi 500 mijë shpërndarje dhe komente. Përgatiti TemA TV