Nga Andi Malasi/
Ndërkohë që Parlamenti vazhdon të tjerrë sherrin e një votimi në OKB, i cili tashmë ka thuajse dy muaj që është konsumuar, në terren po konsumohet lufta e zakonshme e shtetit me krimin. Mediat pasqyrojnë në kohë reale atë që ndodh në çdo cep të Shqipërisë, duke i dhënë përmasa çdo ngjarjeje, qoftë edhe një sherri familjar ku derdhet gjak apo plagoset dikush. Duke përforcuar në këtë mënyrë klimën e pasigurisë, e cila në fakt nuk egziston në raportet ndërkombëtare që flasin për sigurinë në vendet e ndryshme të botës.
Një raport i tillë ishte edhe “Risk Map Report 2017” i hartuar nga një shoqatë e specializuar në Londër, ku vendi ynë figuronte në listën e vendeve me koeficientin e rrezikut në fushën e sigurisë të përcaktuar si “i ulët”. Ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve europiane figuronin me koeficientin “rrezik i mesëm”.
Përtej asaj që shkruhet në raporte, vendi ynë njeh një përmirësim gradual dhe të vazhdueshëm të sigurisë në vitet e fundit. Në orët e fundit kanë bërë zhurmë disa ngjarje të rënda në pjesë të ndryshme të vendit, ndaj të cilave për fat të mirë ka pasur një reagim të fortë të policisë e organeve të hetimit, të cilat kanë mundur të zbulojnë e të kapin autorët.
Në Tiranë, Shkodër, Elbasan e qytete të tjera, pas jehonës së disa ngjarjeve të rënda, kanë ardhur lajmet e arrestimeve, konfiskimeve dhe identifikimit të autorëve të dyshuar.
Kjo klimë shënon një modifikim gradual por të qëndrueshëm të kursit, nga imazhi problematik që krijoi në rradhët e policisë fenomeni i kultivimit të kanabisit, ndaj të cilit aktualisht shteti po vepron me dorë të fortë.
Nga ana tjetër, operacionet e fundit të koordinuara me prokurorinë e shërbimet sekrete, si dhe nisja e procesit të vetingut në rradhët e policisë, pritet të mbledhin edhe më tej “rripat” e një institucioni me rëndësi themelore për vendin dhe shqiptarët.