Për të përshpejtuar procesin e celjes së negociatave, Romana Vlahutin, ashtu sikurse dhe strategjia e miratuar nga Komisioni Europian rekomandon më shumë angazhim në programet e Bashkimit Europian.
Teksa mori pjesë në prezantimin e programit “Europa për Qytetarët”, shefja e delegacionit e Bashkimit Europian në Shqipëri, inkurajoi bashkitë, por edhe shoqëritë civile që të aplikojnë dhe përfitojnë nga këto projekte.
Sipas Vlahutin, europianët duhet të dinë më shumë për vendin tonë.
Vlahutin: Strategjia e miratuar dy ditë më parë nga Komisioni Europian tregon një vizion të qartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por për të përshpejtuar këtë proces, strategjia propozon pjesëmarrje më të gjerë të Ballkanit Perëndimor në politika dhe programe të BE. Të gjitha programet janë të hapura për qytetarët. Shqipëria është Europë. Shqiptarët janë europianë dhe ju ndani me pjesën tjetër të Europës të njëjtat vlera dhe histori.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se përmes këtyre programeve, Shqipëria është pjesë e Europës.
Kumbaro: Jemi këtu me dëshirën, vullnetin, bindjen, përgjegjësinë për të qenë pjesë e këtyre programeve për të mundur mosdijen. Shqiptarët, pavarësisht se janë shumë afër momentit të hapjes së negociatave, në fakt janë përmes këtyre programeve dhe politikave, pjesë e Europës.
Programi ‘Europa për qytetarët’ synon të mbështesë vlerat më të mira të qytetërimit europian, ndërsa afati i fundit për të aplikuar në projektet e këtij programi është data 1 mars.
a.ç