Mbledhja e Këshillit të Legjislacionit në Kuvend shënoi një përplasje mes deputetit të PS-së, Alket Hyseni, dhe ish-ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto. “Panorama” ka zbardhur debatin mes tyre.
Enkelejd Alibeaj: Ne duhet thjesht që për dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku kjo gjykatë ka arritur me shumicën e saj vendimmarrjen 4 pro dhe 3 kundër, që t’i shfuqizojë filtrat paraprakë sepse do na sillte këto fryte të hidhura të Reformës në Drejtësi, ne ta kthejmë në ligj. Është detyrë morale dhe politike kjo. Doni ju apo nuk doni. Kjo është çështje dhe kjo është iniciativë e Këshillit të Legjislacionit sepse çorbën e gatoi ky Kuvend në mënyrë të njëanshme, por sot kemi mundësi të bëjmë një punë të mbarë për të shpëtuar Reformën në Drejtësi, kjo është e gjitha.
Alket Hyseni: Zoti kryetar, unë e kuptoj që ju keni kaluar në fazën e sindromit që kur gjendeni para mikrofonit, takoni butonin e kasetës që ju kanë detyruar ta thoni kudo..Por, është e disata herë që ne ju bëjmë thirrje që të ngriheni në lartësinë e detyrës si kryetar me rotacion i Këshillit të Legjislacionit dhe të mos e bëni këtë këshill, mos e ktheni në një miting elektoral të PD-së.
Enkelejd Alibeaj: Jo këtë mos e thuaj.. Flasim për moral.
Alket Hyseni: Ndryshe nga homologët tuaj opozitarë që patën dyshime dhe e bënë zëvendësimin te nënkomisioni ad hoc. Ju besoj e keni besimin dhe ai zotëria e futi kasetën kur ishte komisioni dje…
Enkelejd Alibeaj: Tani do flasësh për procedurë apo çfarë? Apo do kthehesh edhe një herë në një persekutor..
Edmond Haxhinasto: Çfarë flet mo ça është ky diversion?
Enkelejd Alibeaj: Mondi..Mondi..
Alket Hyseni: Mos u mërzit Mondi se frika e drejtësisë është e madhe e unë e kuptoj pozitën tënde, por më lejo të flas..
Edmond Haxhinasto: Pozitën e kujt mo?!
Alket Hyseni: Frika që keni nga drejtësia që po vjen është shumë e madhe…
Edmond Haxhinasto: Je në vete ti apo s’je në vete?!
Alket Hyseni: E kuptoj pozitën tënde dhe të gjithë kolegëve, por më lër të mbaroj për procedurë..
Enkelejd Alibeaj: Zoti Hyseni mos debatoni me kolegët, secili ka kohën e vet..
Alket Hyseni: Detyra që ka ky Këshill është që ato vendime të Gjykatës Kushtetuese ishin 8 dhe, 3 nga të cilat i ka mbaruar qeveria dhe 5 kanë nevojë për shqyrtim nga ky Këshill. T’i japim detyrë ekspertëve që herën tjetër t’i kemi gati materialet. Ato ligjet që janë miratuar nuk janë miratuar njëanshmërisht, por dhe me aleatin tuaj të momentit dhe janë miratuar me shumicën kushtetuese të Kuvendit. Që mos ta harroni këtë sepse vini në pozitë edhe aleatin. E dyta, ne do ndërhyjmë vetëm aty ku Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar.
Edmond Haxhinasto: Unë do flas për procedurë sepse insinuata që krijon kolegu këtu tregon një mungesë të jashtëzakonshme etike si deputet. Kërkon të bëjë provokime të nivelit shumë të ulët, që nuk i përkasin kësaj salle, por rrugës. Gjithashtu, tregon shumë qartazi se qëllimet e mbrapshta për Reformën në Drejtësi shfaqen herë pas herë edhe në tryezën e këtij Kuvendi. Se kë cakton LSI-ja si përfaqësues në nënkomisione, është punë e saj edhe për çfarë motivesh dhe nuk ka të drejtë kolegu t’i përcaktojë apo t’i komentojë. Për sa i përket frikës për sistemin e drejtësisë, frikë keni ju. Që dëshironi ta kontrolloni politikisht. Ata që duan sistemin e drejtësisë të pavarur dhe të bazuar në ligj, ata nuk kanë frikë nga drejtësia. Dakord. Kështu që nuk ka nevojë se nuk ke as aftësinë ta bësh siç duhet çështjen e komisarit politik. Dakord. Nuk fola me ju që ta kthej reciprocitetin sepse është i përbashkët. Nuk je bërë ti të flasësh dhe të motivosh veprimet e LSI-së.
Alket Hyseni: As që më shkon nëpër mendje..
Edmond Haxhinasto: Atëherë, përmbahu dhe trego etikë në këtë sallë sepse je në nivelin më të lartë të Legjislacionit dhe të etikës që është Këshilli Legjislativ dhe mos degjenero në llafet e rrugës atje..
Alket Hyseni: Trego më shumë qetësi dhe dashuri..