Këshilli i Ministrave vendosi sot Mbylljen e veprimtarisë së shkollës së lartë universitare jopublike “Justicia”, në Tiranë, për të gjitha programet e studimit të ofruara. Ky universitet i bashkohet një liste të gjatë universitetesh private të mbyllura, me ardhjen në pushtet të të majtës në vitin 2013. Ky kishte qenë një “kalë beteje” i “Rilindjes” në fushstën e 2013-s, që preku shumë universitetet që e ushtronin veprimtarinë në shkelje të ligjit.
Studentëve të universitetit në fjalë, do t’u kthehen paratë për pagesat e programeve të papërfunduara studimore në këtë institucion arsimor. Për momentin nuk dihen shkaqet e kësaj mbylljeje.
Lidhur me univeërsitetitn “Justicia”, qeveria ndër të tjera ka urdhëruar që:
- Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të përgatitë dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit apo përfaqësuesit ligjor, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 16 shkurt 2018.
- Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të vërë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojë të mbajë kontakte me të deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.
- Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e këtij institucioni jopublik të arsimit të lartë, në zbatim të këtij vendimi, të përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik privat që i përfaqëson. Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, duhet të kthejë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit.
- Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të arkivojë të gjithë dokumentacionin mësimor, administrativ dhe financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në përputhje me kuadrin ligjor mbi arkivat brenda datës 28 shkurt 2018.
- Shkolla e lartë universitare, jopublike “Justicia”, Tiranë, nuk duhet të kryejë asnjëlloj veprimi financiar apo lëvizje në llogaritë bankare të institucionit, përveç atyre që kanë lidhje me sa parashikohet në pikën 4, të këtij vendimi. Personi juridik privat, që përfaqëson institucionin privat të arsimit të lartë, të cilit i hiqet licenca, nuk mund të kryejë asnjëlloj ndryshimi të aksioneve apo të kuotave të shoqërisë, aseteve të luajtshme e të paluajtshme të saj, para shlyerjes së detyrimeve të parashikuara në këtë vendim.
- Vula e shkollës së lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, si dhe shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
ma.me