Një banesë një katshe është shkrumbuar ditën e djeshme. Banesa në pronësi të shtetasit Selim Marku, është shkrumbuar nga flakët duke djegur gjithçka që ndodhej brenda saj.
Pronari i banesës në momentet e zjarrit nuk ka qenë aty, duke mos pasur mundësinë për të ndërhyrë për të shuar flakët. Kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë lajmëruar shërbimin zjarrfikës dhe vetë pronarin e banesës pasi kanë konstatuar zjarrin. Grupi i emergjencave civile në Bashkinë Mat ishte në terren për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga zjarri i rënë në banesë.
Sipas specialistëve të Emergjencave Civile, gjithçka është shkrumbuar nga flakët, duke mos shpëtuar asgjë. Për këtë po hartohet një raport i cili më pas do të dërgohet tek Emergjencat Civile në Qark. Jashtë kamerës, pronari i banesës së djegur, shtetasi Selim Marku, dyshon që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm dhe jo të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike.
Opsionet e tjera janë të përjashtuara pasi në banesë nuk jetonte askush, por përdorej me raste. Për këtë mësohet se Marku ka bërë edhe një kallëzim në polici. Efektiv të komisariatit të policisë Mat kanë shkuar në vendngjarje, ku grupi hetimor ka nisur hetimet për të gjetur shkaqet e vërteta të rënies së zjarrit.
ma.me