Sot, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur si Vetting-u.
Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Zv.ministrit të Brendshëm Julian Hodaj tha se qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. “Në radhët e Policisë së Shtetit ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohet institucioni i së ardhmes”, tha Hodaj.
“Vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. Padyshim pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë. Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve”, theksoi ai.
Ky projektligj përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.
Hodaj tha se është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin.
“Janë konsideruar me kujdes të gjitha aspektet organizative dhe financiare, për një proces të paanshëm, cilësor e transparent, të shpejtë në kohë dhe me kosto të përballueshme pasi procesit do ti nënshtrohen rreth 13,000 punonjës
Drafti u hartua me bashkëpunimin dhe këshillat e vyera të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, PAMECA dhe ICITAP, të cilat ishin pjesë e grupit të punës që nga fillimi”.
Projektligji ka kaluar edhe një proces të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke filluar nga konsultimi me vetë punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës e SHÇBA, për të kaluar në konsultimin me përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe përfaqësive apo misioneve diplomatike prezentë në Shqipëri.
Hodaj tha më tej se Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut.
“Partnerët ndërkombëtarë do të kenë rol monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit, duke nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të parë të vetingut dhe duke vazhduar këtë rol gjatë procesit të vlerësimit, me qëllim garantimin e cilësisë, zbatimit të njëjtë të standardeve dhe garantimin e transparencës së vetë këtij procesi.
Ministria e Brendshme falënderon të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e këtij projektligji për qasjen pozitive, konstruktive dhe për kontributet e dhëna në përmirësimin e cilësisë së kësaj nisme”, theksoi Zv/ministrit të Brendshëm.
a.ç