Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, ka kritikuar ashpër strategjinë e re të Bashkimit Evropian për integrimin e Ballkanit Perëndimor, që u publikua 1 ditë më parë. I pari i vendit e ka cilësuar si dështim strategjinë e BE-së, pasi nuk ka qenë e qartë për anëtarësimin e Kosovës në bllok.
“Komisioni Evropian publikoi dje strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Megjithatë, për arsye të njohura politike, fatkeqësisht, ky dokument nuk ka arritur të paraqes një perspektivë të anëtarësimit gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjitha vendet e rajonit.
Në veçanti, kjo strategji ka dështuar të ofrojë qartësi për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Presidenti i Kosovës Thaçi ka shkruar përmes rrjeteve sociale se e mirëpret hartimin e dokumenti strategjik të BE, i cili e trajton Kosovën si pjesë integrale të planeve për zgjerim.
Megjithatë ai nënvizon se blloku ka paraqitur një qasje jo të drejtë ndaj Kosovës, e cila sipas tij vjen si pasojë e mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE, respektivisht paaftësi e Bashkimit Europian për një qëndrim unik për Kosovën.
Më pas ai ka thënë se duhet të shfrytëzohet potenciali i plotë i strategjisë së BE-së për të avancuar në pozicionimin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit.
Ndër të tjera Thaçi nënvizon në shkrimin e tij se duhet të zbatohen reformat e nevojshme evropiane dhe të përmbyllet procesi i dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Sipas Presidentit, Kosova urgjentisht duhet të tejkalojë gjendjen e izolimit duke ratifikuar marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi, e cila sjell respektivisht edhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përveç kritikave dhe qëndrimit të tij të ashpër, Thaçi u shpreh se e vlerëson strategjinë e Bashkimit Europian si një përpjekje të bllokut për të rritur përkushtimin dhe nxitur reformat e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE
a.ç