Një shqiptar i dënuar për vrasje në vendin tonë është dënuar me 6 vite heqje lirie për trafik droge në Irlandë.
49-vjeçari Jaçe Pelivani u arrestua në Clondalkin të Dublinit më 18 Maj të 2017-s, teksa drejtonte një furgon të mbushur me kanabis.
Sipas mediave vendase, gjykata e Dublinit u njoh me faktin se autoritetet kishin mësuar se në portin e kryeqytetit irlandez kishte mbërritur një ngarkesë ku dyshohej se kishte drogë. Ata e gjetën kanabisin të fshehur në paleta brenda automjetit.
Policia e kishte vënë furgonin nën përgjim në mënyrë që të kontrollonte lëvizjet e tij.
Kështu, mjeti udhëtoi në Ashbourne, Co Meath, ku u ngarkua me drogë dhe më pas Pelivani e transportoi ngarkesën në Clodalkin.
Në këtë moment, oficerët e policisë ndërhynë duke e arrestuar shqiptarin, ndërsa në automjet i gjetën plot 34 kilogramë kanabis, të paketuar.
Pelivani, i cili jetonte në Kent të Anglisë, pranoi akuzat dhe u shpall fajtor për posedim droge me qëllim shitjen e shpërndarjen.
Në gjykatë u zbulua gjithashtu se në Nëntor të vitit 2000, Pelivani ishte dënuar në mungesë nga një gjykatë shqiptare për vrasje dhe posedim armësh. 49-vjeçari është dënuar për një vrasje të ndodhur më 19 Korrik të vitit 1997, pas një sherri në një lokal nate.
Avokatja e tij mbrojtëse, Tara Burns, i tha gjykatës së klienti i saj kishte probleme me bixhozin. Ai kishte rënë në kontakt me shoqëri të keqe në Londër dhe këta persona, sipas mbrojtjes, i kishin vënë për detyrë që të pastronte para për ta.
Ai i kishte humbur paratë në bixhoz dhe të njëjtët persona e detyruan që të shpërndante drogë, tha Burns. Vetë Pelivani, gjatë marrjes në pyetje nga policia u kishte thënë atyre se paguhej me 600 euro për rrugë.
Ai u tha gjithashtu se nuk kishte udhëtuar kurrë më parë drejt Irlandës, por kjo deklaratë rezultoi gënjeshtër.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Independent”, gjykatësi Martin Nolan theksoi se autoritetet shqiptare nuk kanë kërkuar arrestimin apo ekstradimin e Pelivanit. Ai e dënoi atë me 6 vite burg./tvklan