Autostrada Tiranë-Durrës është kthyer në një “makth” për drejtuesit e mjeteve.
Në aksin Vorë-Maminas dhe anasjellas, në mes të rrugës gjenden gropa të thella që janë kthyer në burim aksidentesh.
Fatmir Turkeçi po udhëtonte drejt kryeqytetit dhe shpëtoi për mrekulli pasi goma e mjetit të tij u ça kur hasi në gropë.
“Shpëtuam për fije të perit. Kur mora gomistin dhe i thashë atë që më ndodhi dhe vendin ku isha, më tha që kishte qenë disa herë, pasi e njëjta gjë në atë vend i kishte ndodhur edhe nipit të tij e disa kushërinjve”, tregon Fatmiri.
Burime nga Policia Rrugore thonë për Top Channel se për këtë problematikë i janë dërguar disa shkresa Autoritetit Rrugor, por, përveç “arnimeve” të disa nga gropave, nuk i është dhënë një zgjidhje përfundimtare.
Në këtë aks lëvizin mbi 45 mijë automjete në ditë dhe përditë dhjetra makina dalin nga rruga, madje edhe të tonazhit të rëndë.