Autoriteti për Informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit do të kërkojë nga Parlamenti ndryshimin e ligjit aktual, për të bërë të detyrueshëm verifikimin e të gjithë zyrtarëve të lartë të shtetit.
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, në një intervistë për “Panorama” ka theksuar se ky institucion, i krijuar prej një viti, vepron vetëm në bazë të kërkesave të institucioneve apo të individëve për t’i verifikuar nëse ata kanë qenë bashkëpunëtorë apo të përndjekur nga ish-Sigurimi i Shtetit në vitet 1944-1991. Duke qenë se këtij certifikimi, drejtuesit ekzistues të institucioneve të drejtësisë apo të të tjerave mund t’i shmangen, Sula ka theksuar se do të kërkojë nga ligjvënësit që të ndryshohet ligji, në mënyrë që verifikimi i këtij institucioni të jetë i detyrueshëm.
Kryetarja e Autoritetit ka sqaruar se ky institucion ka certifikuar deri më sot vetëm 5 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, ndërkohë që gjatë fushatës elektorale vetëm dy parti politike kërkuan verifikimin e kandidatëve të tyre. Sipas saj, vetëm Partia Drejtë- si, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit dhe Aleanca Popullore për Drejtësi e Bilal Kolës hynë në zgjedhjet e 25 qershorit me kandidatë të certifikuar, që s’kanë qenë “spiunë” të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Është për t’u vlerësuar dhe përshëndetur fakti, që shumë institucione apo dhe katër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë me iniciativën e tyre kanë venë në lëvizje Autoritetin për zhvillimin e procedurave ligjore të procesit të verifikimit të figurave të tyre, pavarësisht faktit se kjo procedurë nuk është detyrim i përcaktuar në ligjin 45/ 2015. E ftojmë çdo deputet të bëjë aplikimin direkt në Autoritet, ashtu si po veprojnë kolegët e tyre”, ka thënë Sula.
Zonja Sula, a ka realizuar Autoriteti i Dosjeve verifikim të së shkuarës së anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë?
Pranë Autoritetit, për qëllime të transparencës, gjatë fushatës elektorale, siç dhe ju evidentoni, paraqitën kërkesë për të verifikuar figurën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, vetëm dy subjekte politike zgjedhore të regjistruara në KQZ për këto zgjedhje:a) subjekti politik zgjedhor Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, 144 kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (dy deputetët e zgjedhur të PDIU-së, në Qarkun e Elbasanit dhe një deputete e zgjedhur në Qarkun e Dibrës dhe zëvendësuesit e tyre, kanë kaluar procesin e pastërtisë së figurës së tyre), b) subjekti politik zgjedhor Aleanca Popullore për Drejtë- si, 141 kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Theksoj se jemi të fokusuar në zbatimin korrekt, profesional dhe teknik dhe padyshim larg ngjyrimeve politike, të detyrimeve dhe përgjegjësive ligjore që ligji 45/ 2015 i ngarkon institucionit tonë. Ndërkohë, inkurajojmë kërkesat për verifikim nga të gjithë kandidatët për detyra të larta publike, si një gjest i shkëputjes morale nga e shkuara diktatoriale dhe solidaritet ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Një gjest, i cili e rrit besimin e publikut ndaj institucioneve të një shteti demokratik, që garanton të drejtat e njeriut.
Përveç, periudhës së fushatës elektorale ku vetëm dy forca politike kërkuan verifikimin e kandidatëve, a ka pasur kërkesa personale nga deputetë për t’u njohur me dosjet e tyre apo nëse kanë qenë të vëzhguar nga regjimi i kohës? Cilët prej tyre janë njohur me dosjet apo kanë kërkuar të verifikohen?
Procesi i verifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur është mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, jo vetëm për dinjitetin e tyre, por dhe për vetë rëndësinë e figurës që ata përfaqësojnë në foltoren e Parlamentit apo në organet e qeverisjes vendore, si kryetarë bashkie apo këshilltarë qarku. Sa më sipër, vetëm katër kërkesa personale i janë paraqitur Autoritetit nga deputetët aktualë të Kuvendit të Shqipërisë, përkatësisht nga z.Romeo Gurakuqi, z.Myslym Murrizi, z.Sadi Vorpsi, kërkesa këto të legjitimuara në mbledhje të Autoritetit dhe për të cilat është kryer procesi i verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të këtyre deputetëve dhe, së fundmi, kërkesa e paraqitur nga z.Enkelejd Alibeaj, e cila është në proces shqyrtimi dhe verifikimi.
Kërkuesit, në rastin konkret deputetët e sipërcituar, janë njohur me rezultatin e verifikimit të kryer nga Autoriteti sipas dokumentacionit të administruar prej saj, ku vlen të përmendet pastërtia e figurës së tyre, referuar dispozitave të ligjit 45/2015. Gjithashtu, jo si kërkesë individuale e paraqitur nga vetë deputetja znj.Valendina Duka, por si kërkesë e ardhur nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, si dekane e Fakultetit të Histori-Filologjisë, është kryer edhe procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës së kësaj deputeteje, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit për të.
Autoriteti i Dosjeve mundet me iniciativën e tij të verifikojë deputetët e Kuvendit? A keni kontratë me liderët e partive, që ata të nxisin deputetët për ta kërkuar një verifikim të tillë?
Në zbatim të nenit 30 të Ligjit 45/2015, Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatë për t’u zgjedhur për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale. Është për t’u vlerësuar dhe përshëndetur fakti, që shumë institucione apo dhe katër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë me iniciativën e tyre kanë vënë në lëvizje Autoritetin për zhvillimin e procedurave ligjore të procesit të verifikimit të figurave të tyre, pavarësisht faktit se kjo procedurë nuk është detyrim i përcaktuar në ligjin 45/ 2015.
E ftojmë çdo deputet të bëjë aplikimin direkt në Autoritet, ashtu si po veprojnë kolegët e tyre. Ndërkohë që legjislatori nuk e ka parashikuar rolin e Autoritetit për të iniciuar kryesisht procedurën ligjore të verifikimit të figurave të deputetëve aktualë në Kuvendin e Shqipërisë, i ka lënë hapësirë të plotë hulumtuesve. Kështu, në funksion të veprimtarisë hulumtuese dhe kërkimit shkencor, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit apo të edukimit qytetar, Autoriteti vë në dispozicion, mbi bazë kërkese, dokumentet që disponojmë, kjo në bazë të rregullave të përcaktuara qartë, që respektojnë privatësinë e qytetarëve. Në këtë kuadër, me kënaqësi vëmë re që numrin i kërkesave për qëllime hulumtimi sa vjen dhe rritet me hulumtues brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu kemi firmosur marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë që do të mund të shfrytëzojnë arkivat që disponojmë, duke fituar kohën e humbur.
Lidhur me emërimet në administratën publike, a kërkohet për drejtuesit e rinj të verifikohen nga Autoriteti i Dosjeve, para se të emërohen?
Vlerësojmë pozitivisht ecurinë e procesit, që ka marrë vëmendjen e duhur të opinionit publik në përgjithësi dhe të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike në veçanti, në institucione të rëndësishme, përfshirë këtu edhe drejtues të përfaqësive diplomatike, si dhe trupës së lektorëve në arsimin e lartë dhe Akademinë e Shkencave. Sa më sipër, legjislatori në nenin 29 të Ligjit 45/2015 ka parashikuar institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, të cilat i drejtohen Autoritetit me kërkesë, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish–Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet para procesit të emërimit apo ngritjes në detyra të caktuara të kandidatëve, detyra këto të parashikuara në ligj. Natyra e kërkesave të institucioneve kushtetuese apo autoriteteve publike, është verifikimi i figurës së kandidatëve/ zyrtarëve, përpara procesit të emërimit apo ngritjes në detyrë, në kuadër të transparencës dhe në funksion të vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale, sipas legjislacionit përkatës (ligjit të tyre organik nëse ka dhe ligjit tonë 45/2015).
Për ilustrim, mjafton të përmendim se: -në mbledhje të Autoritetit janë trajtuar me përparësi, paraprakisht dhe legjitimuar 49 kërkesa shumë-emërore, të paraqitura nga institucionet kushtetuese apo autoritetet publike, duke filluar nga Presidenca, Parlamenti, Avokati i Popullit, institucionet e arsimit të lartë, Akademia e Shkencave, ministritë si dhe subjektet zgjedhore, për verifikimin e figurës së kandidatëve/ zyrtarëve, për t´u emëruar ose ngritur në detyrë, apo për t´u zgjedhur etj., kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, të cilë- sive etike, morale dhe profesionale të tyre, sipas legjislacionit përkatës. Për 48 kërkesa shumë-emërore është përmbyllur procedura mbi bazën e vendimmarrjes së Autoritetit në kohë reale.
Kërkesa e ardhur nga Ministria e Europës në lidhje me verifikimin e Shërbimit të Jashtëm është ende në plotësim të dhënash dhe do të kalojë në proces verifikimi e vendimmarrje në mënyrë parësore. Në total, deri sot, kanë kaluar në filtrin e verifikimit të pastërtisë së figurës 837 kandidatë apo zyrtarë, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, apo kandidatë për deputetë në zgjedhjet që sapo lamë pas, në kuadër të transparencës së fushatës zgjedhore, apo personel në detyrë të kërkuar nga institucione të veçanta.
Vlejnë për t’u përmendur edhe verifikimet e kryera në kuadrin e Reformës në Drejtësi:
- procedura e vlerësimit të cilësive etiko-morale të kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që përbëhej nga një listë me 207 emra kandidatësh,
- procedura e vlerësimit të cilësive etiko-morale të 51 kandidatëve për t’u zgjedhur si anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nga radhët e avokatisë, nga radhët e shoqërisë civile, nga radhët e pedagogëve të fakulteteve juridike dhe shkollës së Magjistraturës.
Për drejtuesit e administratës që nuk e kanë kaluar këtë proces, a do të këtë një fazë të dytë riverifikimi?
E konsideroni të nevojshëm? Siç kemi theksuar edhe më lart, Autoriteti vihet në lëvizje vetëm mbi bazën e një kërkese të paraqitur nga institucionet kushtetuese apo autoritetet publike dhe ka detyrim ligjor për t´iu përgjigjur çdo kërkese të paraqitur nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, për verifikimin e figurës së kandidatëve para emërimit apo ngritjes në detyrë, për pozicione pune të caktuara dhe të parashikuara nga ligji 45/2015.
Për t´iu përgjigjur pyetjes suaj, si Autoritet jemi angazhuar për të promovuar shërbimet e ligjit, sepse nevojitet angazhim institucional dhe vullnet i përbashkët për realizimin e qëllimit që i ngarkon ligji nr. 45/2015 Autoritetit, në procesin e verifikimit të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, ku përfshihen dhe drejtuesit e administratës, që nuk e kanë kaluar ketë proces. Është bërë një punë intensive për të promovuar shërbimet tona, për të qartësuar procedurat, duke i lehtësuar aplikimet edhe me metoda online, të cilat janë provuar tashmë si efikase.
I jemi drejtuar me shkresë subjekteve që përcakton ligji, dhe jemi të vendosur të vazhdojmë popullarizimin e proceseve si dhe të promovojmë vlerën e madhe publike që ka verifikimi i figurave publike, me durim e këmbëngulje, përmes kontakteve bilateraleve apo thirrjeve në media. Po ashtu, kemi shqyrtuar praktikat më të mira të vendeve të Europës Lindore, si Bullgaria dhe Rumani, që ndryshe nga Gjermania që nuk ka pasur nevojë ta detyrojë verifikimin, e ka ndjerë nevojën që mekanizmat detyruese të verifikimit dhe transparencës të përcaktohen në ligj.
Pas një viti ekzistence të institucionit, jemi të gjithë të qartësuar për përmirësimet e mundshme të tij dhe do të punojmë me ligjvënësit që t’i japim një frymëmarrje edhe më të madhe institucionit tonë, përmes amendimeve të ligjit. Si institucione tepër specifike, të gjithë homologët tanë na kanë treguar për dinamikë të shpejtë dhe nevojë për ta përshtatur ligjin e tyre me nevojat e shoqërisë, duke i rritur edhe efikasitetin. Vetë gjermanët e kanë amenduar ligjin e tyre tetë herë./Panorama