Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka shpërthyer me 24 kilogram tritol dy ndërtesa në qytetin e Fierit.
Report Tv transmetoi Live me dron momentet e shpërthimit të dy objekteve. Bashkia e Fierit ka planifikuar rehabilitimin e lumit Gjanica dhe ndërtimin e pedonales së qytetit.
Prishja e dy objekteve me shpërthim të kontrolluar, është në kuadrin e aksionit që ka ndërmarrë IKMT në qytetin e Fierit për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit. Aksioni ka nisur që prej ditës së hënë dhe deri tani janë prishur 15 objekte dy dhe më shumë katëshe me funksione të ndryshme shërbimi. Nuk është regjistruar asnjë incident.
Për këtë shpërthim të kontrolluar, sikurse u bë me dije nga IKMT, u hapën 800 furnella (vrima) në trupat e ndërtesave, shpërthimi ndodhi sipas orarit të parashikuar në 13:00. Shpërthimi u realizua me sukses pa shkaktuar asnjë problem, gjithçka u realizua me profesionalizëm. Shembja e dy ndërtesave njëri katër katësh dhe tjetri pesë katësh, u bë në të njëjtën kohë.
Tashmë shembja e tyre do ti hapi dritën jeshile nisjes së punimeve për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe ndërtimin e pedonales së qytetit.
a.ç