Ndryshon e gjithë skema e provimit të më- suesve që janë në pritje për t’u punësuar. Pas centralizimit të punësimeve, të cilat do të monitorohen nga një sistem qendror, e jo nga drejtoritë arsimore në rrethe, edhe testimi do të përqendrohet vetëm në Tiranë.
Po ashtu, nuk do të jetë një datë fikse siç ka ndodhur vitet e kaluara, por disa të tilla në të cilat do të provohen njohuritë e mësuesve, për t’i renditur më pas në listën e punësimeve. Të gjitha këto risi i bën me dije për gazetën drejtoresha e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Zamira Gjini. Një grup pune po merret me udhëzimin përkatës, që pritet të publikohet brenda pak ditëve dhe që do të saktësojë të gjithë procedurën. Më pas, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) do të hartojë një plan të detajuar me kalendarin e datave për testimet në të gjitha profilet e mësuesisë.
Skema e re “Provimet e ‘Mësues për Shqipërinë’ do të zhvillohen përgjatë muajit shkurt. Por ndryshe nga vitet e tjera, nuk do të bëhen në një datë, por në data të ndryshme, sipas profileve. Të gjitha do të bëhen në Tiranë dhe duam t’i bëjmë dixhitale. Me këtë rrisim akoma më shumë cilësinë dhe sigurinë e provimit. Shmangim totalisht ndërhyrjet. Kush do, shkon te agjencia, regjistrohet, jep testimin, të cilit i bashkohen dhe pikët e dosjes dhe renditet te portali ‘Mësues për Shqipërinë’, në bazë të të cilit punësohet”, sqaron Gjini.
Provimi për punësim do të zhvillohet i ngjashëm me atë të mësuesve të rinj, që duan të licencohen. Këtë vit nuk do të ketë më një format testimi në letër, por në formë elektronike, me shumë gjasë në ambientet e QSHA-së. “Do të ketë një grafik datash, sipas profileve të më- suesisë. Tani jemi duke bërë gati udhëzimin, të cilin do ta publikojmë shumë shpejt”, shprehet drejtoresha e Arsimit Parauniversitar në MASR. Ndërkohë, mësuesit kanë edhe pak ditë kohë në dispozicion të përgatiten për provimet. Në faqen zyrtare të Institutit të Zhvillimit të Arsimit ata mund të gjejnë 17 programet orientuese, mbi bazën e të cilave do të hartohet provimi.
PUNËSIMET
I gjithë portali i krijuar për punësimin e mësuesve i është nënshtruar ndryshimeve. “Më- sues për Shqipërinë” me emrin e vjetër, por këtë vit me funksione krejt të reja ia lë menaxhimin e punësimit të mësuesve njësisë qendrore, duke shmangur kështu tërë- sisht drejtoritë arsimore. Transparenca dhe efikasiteti janë dy pikat e forta të procesit të punësimit të mësuesve, i cili në bazë të udhëzimit të ministrisë kalon në tri faza: konkurrimi me dosje, testimi dhe përzgjedhja e vendit të punës. Ndërsa e para ka përfunduar që në dhjetor të 2017- ës, tashmë të gjithë kandidatët për mësues presin pikët e testimit, të cilat të mbledhura me ato të dosjes caktojnë rendin e tij në listën e pritjes për profilin që iu përkasin. Këtë vit, që në aplikim, mësuesit vetë mund të zgjedhin vendet e punës për të cilat aplikojnë për të pritur më pas radhën, të cilën ia dikton portali, e nuk varet nga vullneti i drejtuesve të drejtorive apo zonave arsimore. Nga ky vit, gjithçka do të menaxhohet nga portali, i cili harton në mënyrë automatike listën e fituesve bashkë me pikët në rend zbritës nga ato me pikë maksimale deri tek ata me më pak pikë. Të parët në listë janë favoritë për t’u punësuar në rast se krijohet një vend i lirë pune. /Panorama/
a.ç