Nga Armando Meta/
Komisioni Parlamentar i Ligjeve është mbledhur sot paradite për të diskutuar rreth ndryshimeve Kushtetuese për të shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. PD- LSI, në këtë mënyrë, përbëjnë një rast unikal në historinë e jurisprudencës botërore, që hartojnë një amendament kushtetues për një njeri. Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme është zgjedhur në mënyrë ligjore. Fakt ky i konfirmuar jo vetëm nga ekspertët juridik shqiptar, por edhe ata ndërkombëtar. Por PD- LSI, meqë nuk e kanë nën ‘hyqëm’ tashmë Prokurorin e Përgjithshëm, kërkojnë që Marku të largohet dhe të vi një prokuror tjetër, i cili do të zgjidhet edhe me votat e PD- LSI. Ky është thelbi i amendamentit kushtetues të PD, i cili është vërtetë unikal si për nga forma ashtu edhe për nga qëllimi që është hartuar, shkruan javanews.al. Deputeti i PD Alibeaj u shpreh se kërkesa e opozitës lidhtet me 3 çështje: 1. Emërimi i një Prokurori të Përkohshëm me 3/5 e votave të deputetëve; 2. Prokurori të zgjidhet me vetting; 3. Mekanizëm zhbllokues për situatën. Sipas tij, Gjykatësi Kushtetues më i vlerësuar nga vetting-u të jetë edhe Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. “Arsyet pse ne e kërkojmë këtë është vendimi i 18 dhjetorit, ku në shkelje të Kushtetutës u emërua Prokurori i Përgjithshëm pa vetting dhe në mënyrë të njëanshme”, deklaroi Alibej.
Amendamentet kushtetuese në praktikën botërore asnjëherë s’kanë pasur të bëjnë me një emër të përveçëm. Ndryshimet kushtetuese kanë qëllim që të jenë afatgjata dhe të rregullojnë për periudha kohore të gjata raporte ose probleme për komuniutetin dhe institucionet. Ky amnendament s’ka asgjë të tillë. Eshtë thjeshtë amendament për një emër të përveçëm: atë të Arta Markut. PD, ja ‘ka marrë dorën’ bërjes së ligjeve për vetëm emra të caktuar si ligji ‘anti Ngjela’, ligji ‘anti Ina Rama’, ligji ‘anti Prenga’ etj., etj. Brenda kësaj sjellje politike me ligjin është edhe amendamenti Kushtetues i PD, i cili në fakt guxon shumë më shumë se tre ligjet e mëparshme me emra të përveçëm, shkruan javanews.al. Në këtë mbledhje PD ka bërë të qartë se është ajo që ka bllokuar procesin e konstituimit të KLGJ dhe KLP duke bërë të dështojnë 2 raunde votimi në Kuvend. Për këtë mjafton të shikohet pika 3 e artikuluar nga Alibeaj që thotë: “Mekanizëm zhbllokues për situatën”. Thënë thjeshtë hiqni Markun, të votojmë KLGJ dhe KLP. Kërcënim për pazar?! Mjafton kjo për të kuptuar se bllokimi i PD s’ka të bëjë me kandidaturat për KLGJ dhe KLP, por kërkohet një pazar që ata votojnë nëse hiqet Marku.