Nga Astrit Patozi/
U ktheva në shtëpi dhe pashë lajmet për sherrin në parlament. Unë, që e dija rendin e ditës, prisja një betejë maratonë për aeroportin e Vlorës, ekstradimin e financierit të Habilajve, rikthimin e votimit për institucionet e reja të drejtësisë e tema të tjera të nxehta të ditës. Qytetarët, më pak të informuar, kanë pritur të dëgjojnë se çfarë do të thotë opozita për gjendjen e vështirë politike dhe sociale në Shqipëri. E cila është evidente dhe e prekin të gjithë, por patjetër kanë nevojë të ndriçohen nga ata që kanë zgjedhur për këtë punë.
Por opozita sot zgjodhi të bëjë thjesht cubin, që vetëm fjalë ka. Lulzim Basha ia fali në tavolinë sot fitoren qeverisë. Njësoj si ato ekipet e futbollit, që nuk paraqiten në ndeshje, dhe kundërshtari e merr rezultatin aforfe’, 3 me 0.
E para, se mazhoranca i votoi pa problem të gjitha ligjet dhe vendimet e sotme, por me bonusin që askush në Shqipëri nuk mori vesh se për çfarë bëhej fjalë. Ndërkohë që secila nga çështjet e rendit të ditës mund të shndërrohej në arenë të fortë debati.
E dyta, se opozita u shfaq agresive dhe e dhunshme, ndërsa qeveria e qetë dhe e moderuar, aq sa kryeministri vetë u shndërrua në kameraman të shfaqjes. Ndërkohë, që në realitet ndodh e kundërta. Është qeveria ajo që po i bën gjëmën qytetarëve, ndërkohë që Lulzim Basha, herë nga paaftësia, dhe herë nga arsye të tjera, po e ndihmon atë që ata të mos revoltohen. Me ikje të qëllimshme nga fronti i betejave politike, siç ndodhi sot.
E treta, duke u kapur për procedurë dhe duke bërë rrëmujë për çështje dytësore, opozita në parlament i largohet pafundësisht misionit të vet. Sepse qytetarët presin prej saj që në atë sallë të dëgjojnë se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe çfarë po gatuhet në kurrizin e tyre nga Edi Rama dhe qeveria e tij. Ndërsa dje panë vetëm që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë të mërzitur me qeverinë, por e them me bindje se nuk ka shqiptar të mençur që të shqetësohet nga kjo. Për të mos thënë të kundërtën, që gëzohet i madh e i vogël. Dhe, që të mos paragjykohem, po fus edhe emrin tim aty, sepse idea është që kurrë nuk do të kenë mbështetje popullore hallet e politikanëve, ndërsa shqetësimet e njerëzve po.
Ndaj edhe Lulzim Bashën, si udhëheqës të më shumë se gjysmës numerike të opozitës parlamentare, e shoh përgjegjës për atë humbje aforfe sot në Kuvendin e Shqipërisë.
E cila nuk është e para dhe shpresoj të jetë e fundit.