Një fabrikë malazeze armësh, e cila pjesërisht zotërohet nga biznesmeni kontrovers i armëve Heinrich Thomet, aferat e të cilit u zbuluan në vitin 2008 në Shqipëri, u mbyll përkohësisht pas disa aksidenteve të ndodhura vitet e fundit.
Nga: Dusica Tomovic, Podgoricë
Fabrika më e madhe e armëve në Malin e Zi, Tara Aerospace në qytetin verior të Mojkovaçit, që zotërohet pjesërisht nga tregtari kontrovers i armëve, Heimrich Thomet, u mbyll përkohësisht të martën pas shpërthimit të një dite më parë që plagosi dy punëtorë.
Dy punëtorët pësuan plagë të rënda, kërcënuese për jetën gjatë shpërthimit dhe më pas u transportuan në Beograd për t’u mjekuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake Serbe.
Televizioni publik i vendit, RTCG, citoi një njoftim për shtyp të lëshuar nga kompania ku thuhej se fabrika u mbyll pasi autoritetet nisën një hetim për shkaqet e aksidentit të ndodhur të hënën.
“Pavarësisht gjithçkaje që kemi ndërmarrë [për të garantuar sigurinë] dhe rregullat e sigurisë në vendin e punës, dje ndodhi një aksident”, tha kompania.
Kompania nuk zbuloi nëse fabrika u mbyll me urdhër të shtetit malazez ose nëse drejtuesit e vendosën këtë.
Shpërthimi në ish-fabrikën shtetërore ishte i katërti që kur kompania u privatizua në vitin 2014.
Në qershor të vitit 2015, një shpërthim vdekjeprurës vrau punëtorin Slobodanka Koriç dhe la shtatë të tjerë të plagosur. Në shkurt të vitit 2014, u plagos Gordana Boskoviç, drejtuesja e sektorit të piroteknikës dhe më 24 tetor të njëjtin vit gjashtë punëtorë u plagosën nga një shpërthim.
Heinrich Thomet, biznesmeni në qendër të një skandali që përfshiu furnizimin e Pentagonit me municione shqiptare me destinacion Afganistanin në vitin 2008, është aksioneri kryesor në kompaninë Tara Aerospace.
Thomet qe në listën e atyre që duhen vëzhguar nga CIA si “trafikantëve të armëve” në kohën e marrëveshjes në vitin 2008, sipas një raporti të Kongresit.
Edhe pse kurrë nuk u akuzua për një vepër penale, emri i tij doli në dokumentet e prokurorisë shqiptare dhe në një raport të Kongresit në SHBA, si një ndërmjetës kyç në aferën shqiptare, që më vonë frymëzoi filmin Hollivudian Qentë e Luftës (War Dogs) të vitit 2016.
Ai u përfshi sërish në sigurimin e municioneve për qeverinë amerikane në vitin 2017 përmes një prej kontraktorëve të saj më kryesorë, gjigantit britanik të mbrojtjes, Chemring.(birn)