Goli i tij, megjithëse u cilësua si i rregullt, rrezikon t’i kushtojë deri në dy javë skualifikim. Rregullorja shpjegon qartë se shënimi i një goli duke prekur në mënyrë të vullnetshme topin me dorë përbën një sjellje antisportive.
Topi tani nga rrjeta e Strakoshës kalon në duart e gjyqtarit sportiv, i cili, në bazë të provës televizive, do të vendosë masën ndëshkuese për 20-vjeçarin e Milanit. Duke u rikthyer te goli i avantazhit të parë kuqezi, duhet thënë se as arbitri kryesor dhe as përgjegjësit e VAR-it nuk e vunë re parregullsinë, por kjo, megjithëse nuk ndikon në rezultatin e ndeshjes, mund të përbëjë një provë për të ndëshkuar Kutronen.
“Instagram” – Lajmi që rrezikon ndalesën e detyruar, teksa po kalon një moment më shumë se pozitiv, nuk e ka lënë indiferent sulmuesin e Milanit. Ideja se mund të skualifikohet, sidomos në këtë periudhë, ka bërë që Kutrone të përdorë profilin e tij në “Instagram” për të dhënë versionin e tij të fakteve.
Në postimin e tij, 20-vjeçari ka shkruar se: “Kam parë disa herë imazhet e golit tim. Në një moment adrenaline dhe instinkti m’u krijua ideja se kisha shënuar në mënyrë të rregullt. Veprimi im nuk kishte asgjë të vullnetshme dhe më vjen keq që është arritur deri aty sa të vihet në diskutim ndershmëria ime”.
Prokura – Prokura e Federatës Italiane të Futbollit ndërkohë ka kërkuar përdorimin e provës televizive për të gjykuar veprimin që solli golin e parë të Milanit. Pikë së pari mbetet për t’u vendosur nëse kjo provë është e mjaftueshme për të hapur një dosje dhe, më pas, në një moment të dytë, do të bëhet gjykimi dhe verifikimi i vullnetit të lojtarit për të dërguar topin në rrjetë me dorë, transmeton “Panorama Sport”.
Precedenti – Sot me të drejtë flitet për golin e Kutrones, por kujtesa milaniste sjell ndër mend episode të ngjashme. I tillë ishte edhe ai i derbit të 2009-ës, kur ekuilibrat e 0-0 u prishën nga Adriano që shënoi me dorë ndaj Abiatit.
Përsëritjet nuk ishin kaq shumë të nevojshme sa në rastin e Kutrones, pasi gjesti i brazilianit ishte i dukshëm, por atëherë nuk kishte VAR dhe goli nuk u anulua. Në ditët që pasuan, megjithëse prokurori Stefano Palaci kërkoi pezullimin e lojtarit, as prova televizive dhe as gjykatësi sportiv nuk e ndëshkuan Adrianon./a.m.