Ish presidenti i Republikës, Bujar Nishani ishte i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa në News24, ku ka folur ndër të tjera edhe për misionin e EURALIUS dhe OPDAT si dhe zgjedhjen e kryeprokurores së re me votat e mazhorancës. Nishani u shpreh se EURALIUS dhe OPDAT nuk mund të bëjnë interpretime të Kushtetutës.
“Nuk ka asnjë të drejtë që EURALIUS dhe OPDAT të bëjnë gjykimin dhe analizë mbi kushtetutën e Shqipërisë. Gjykimin mbi kushtetutë e jep vetëm Gjykata Kushtetuese. Të gjithë mund të japin mendime po ashtu dhe ambasadorët, por dhe ne askush nuk na ndalon të japim dhe ne mendime”- tha Nishani.
Në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurores së re vetëm me votat e mazhorancës, Arta Marku, ish presidenti tha se zgjedhja e saj ishte në mënyrë të paligjshme.
“Unë nuk e njoh fare personalisht zonjën që është zgjedhur, por zgjedhja e saj është e paligjshme është anti-kushtetuese”- tha Nishani./a.m.