Avokati i Nezar Seitit, Detar Hysi, në një prononcim për gazetën “Panorama”, thotë se me ekstradimin e Nezar Seitit janë shkelur ligjet dhe janë anashkaluar vendimet e gjykatave. Edhe pse ekstradimi ishte kërkesë e mbrojtjes, ai thotë se Nezar Seiti nuk mund të ekstradohej, ndërkohë që hetimet ndaj tij vazhdojnë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Hysi argumenton se, në rastin konkret duhej që hetimet ndaj Seitit të pushoheshin nga Krimet e Rënda dhe të hiqej masa e arrestit me burg pa afat nga gjykata. Sipas avokatit, rasti tjetër do të ishte nëse Seiti do të dënohej dhe pasi të përfundonte dënimin, do të mund të nisnin procedurat për ekstradimin në shtetin italian.
“Vendimi për ekstradimin është marrë para dy muajsh dhe ç’është e vërteta, ne e kemi kërkuar që të procedohet në Itali. Mirëpo, për të ka një masë sigurie “burg pa afat” nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ligjërisht nuk mund të ekstradohej, pasi është nën procedim në Shqipëri. Aq më tepër që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur me tre muaj hetimet ndaj Setitit.
Ditën e djeshme, unë firmosa zgjatjen e hetimeve dhe do ta ankimoja vendimin, kur mësova se Seitin po e ekstradonin. Ka një vendim gjykate dhe ai nuk mund të ekstradohet nëse çështja nuk pushohet, ose në rast të kundërt, nëse nuk dënohet dhe nuk përfundon kryerjen e dënimit për procesin në Shqipëri.
Ai po hetohet në dosjen “Tahiri” te Krimet e Rënda, edhe pse prej katër muajsh nuk është marrë asnjëherë në pyetje”,- tha avokati për “Panoramën”. Ai konfirmoi se javën që vjen do të udhëtojë në Itali për të takuar klientin e tij.