Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, do të martohet vjeshtën e ardhshme, me partneren e tij koreano-jugore Kim So Yeon, sipas agjencisë koreano-jugore të lajmeve, Yonhap, transmeton ATSH raportimin e DPA-së.
Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme rreth ceremonisë së martesës së tij. Kim, 48 vjeçe, ka konfirmuar për Yonhap planet e martesës, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme rreth ceremonisë.
Ish-lideri i socialdemokratëve, 73 vjeç njoftoi më herët se ai dhe partnerja e tij kanë planifikuar të jetojnë mes Gjermanisë dhe Koresë së Jugut. Ai e përshkroi martesën e tij të ardhshme dhe planin për të jetuar një pjesë të jetës në Korenë e Jugut si një “sfidë e re”.
Gjithashtu, Schroeder deklaroi se kishte planifikuar të mësonte ta fliste më mirë gjuhën koreane dhe të bënte një “jetë normale” në vend. Kjo është martesa e tij e pestë me Kim. Ai ka dy fëmijë me ish- bashkëshorten, Doris Schroeder-Koepf. (b.an)