70 vjet më parë mori pjesë në krijimin e atij që njihet si Parku i Madh i Liqenit të Tiranës, ndërsa sot, po aq energjik e i palodhur, në moshën 89-vjeçare, po jep një dorë edhe për Pyllin Orbital, ‘murin’ e gjelbër të pemëve, paja që brezi i sotëm po ua lë kryeqytetasve të nesërm.
Ai është ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili iu përgjigj menjëherë thirrjes së Bashkisë së Tiranës, duke iu bashkuar kryebashkiakut, Erion Veliaj, në aksionin e radhës për mbjelljen e 110 selvive në Unazën e Madhe, pranë mbikalimit të Saukut.
Veliaj e falenderoi ish Presidentin Moisiu për kontributin e dhënë për vendin, por edhe për shtimin e gjelbërimit në Tiranë. “Për mua dhe stafin e Bashkisë së Tiranës është një privilegj i madh që sot na është bashkuar jo vetëm presidenti më i dashur i të gjithë shqiptarëve, një nga figurat më të respektuara dhe më frymëzuese në Shqipëri, por edhe një veteran i gjelbërimit. Sot me Presidentin Moisiu mbollëm 110 selvi, është një lloj qëndisme e unazës jugore të Tiranës, besoj që shton hijeshinë, shton jetë, shton oksigjen. Zoti President, ju jam shumë mirënjohës, ju uroj jetë të gjatë dhe ju falenderoj shumë për kontributin”, tha kryebashkiaku i Tiranës.
Ai shtoi se një akt i tillë është një inkurajim për të gjithë ata që duan të japin ndihmën e tyre për një qytet dhe të ardhme më të mirë për brezin e ardhshëm. “Gjelbërimi që po bëjmë sot do të jetë këtu për gjeneratën tjetër, kur unë të jem në moshën e Presidentit dhe kur do të ndjehemi krenarë që i lamë këtë pajë një gjenerate tjetër të shqiptarëve. Dua t’i falenderoj të gjithë, duke filluar nga Presidenti Moisiu dhe deri tek fëmija më i vogël në kopsht, që na është bashkuar në këtë fushatë”, u shpreh Veliaj.
Ish Presidenti Moisiu tha se mbjellja e një peme është mënyra më e mirë për t’i lënë fëmijëve një qytet më të pastër. “Kur isha 20 vjeç e fillova me parkun e Tiranës, kurse në këtë moshë po lë edhe një kujtim me selvitë e Tiranës. Mendoj se ky aksion duhet të vazhdojë sepse këtu do të rriten fëmijët, nipërit, stërnipërit tanë. Lëmë një kujtim të mirë, që edhe ata ta vazhdojnë më tej, por edhe njerëzit rreth e përqark shikojnë që duhet punuar. Duhet punuar që ta zbukurojmë qytetin, në radhë të parë për shëndetin tonë, por edhe për atë që njerëzit të kënaqen kur të shikojnë Tiranën. Ja vlen që të gjithë qytetarët e Tiranës të përfshihen në këtë fushatë sepse është diçka që e bëjmë për veten tonë”, tha ish Presidenti Moisiu.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se deri më tani mbjellja e pemëve ka ecur me ritme shumë të mira dhe brenda muajit Mars do të arrihet rekordi prej 100 mijë pemësh. “Për momentin jemi mbi 82 mijë pemë, që do të thotë se jemi shumë afër rekordit tonë. Kontributin më të madh për këtë e kanë njerëzit e thjeshtë, që e duan këtë vend, që e tregojnë atdhedashurinë qoftë edhe duke dhuruar një fidan. Më vjen mirë që duke filluar nga fëmijët e vegjël në kopshte, në shkolla, gjimnaze, pastaj studentët në universitete dhe deri tek ata që janë në moshën e tretë, i janë bashkuar këtij revolucioni të gjelbër për Tiranën”, tha Veliaj.
a.ç