Nga Entela Resuli
Ishte viti 1997 kur Shqipëria ishte futur në kaos për shkak të humbjes së parave në firmat piramidale. Ishin hapur depot e armëve dhe situata kishte dal jashtë kontrolli. Vendi dukej pa shpresë dhe gjendja po degradonte drejt humnerës. Në një moment politika u ul dhe vendosi të krijohej qeveria e “Pajtimit Kombëtar” e cila iu la si barrë një djali të ri nga Gjirokastra, që atëherë drejtonte pushtetin lokal atje.
Bëhet fjalë për Bashkim Finon, i cili mori detyrën e njeriut që do të shpëtonte vendin nga “Lufta Civile”. Nga ajo kohë, ai mbahet mend si kryeministri i “pajtimit”. Pas më shumë se 20 vitesh kur ai erdhi me helikopter nga Gjirokastra në Tiranë, për të shpëtuar vendin, emri i tij është në garë për të shpëtuar futbollin! Prej 16 vitesh Federata Shqiptare e Futbollit drejtohet nga Armando Duka.
Por, duket se këtë herë gara është e fort. Ai ka përballë Bashkim Finon, të cilin jo rrallë herë e kemi parë në fushën e blertë duke luajtur futboll, sigurisht, jo si profesionist, por me shumë pasion. Për të kuptuar se çfarë ka ndërmend Fino të bëjë nëse zgjidhet kreu u Federatës Shqiptare të Futbollit ne kemi biseduar me të.
Zoti Fino, jemi në kulmin e fushatës për zgjedhjet e Presidentit të FSHF, si po shkon fushata?
Fushatën e kam marrë me sportivitet. Për mua është një fushatë fair-play. Futbolli është pasioni im dhe mendoj se me platformën që e kam ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri tani, shpresoj që anëtarët e Federatës të Futbollit të më votëbesojnë më 7 shkurt.
Ju vini nga politika, por keni qenë pranë sportit, a keni gjetur mbështetje nga figurat e sportit shqiptar?
Po, është e vërtetë që vij nga politika dhe që kam qenë pranë sportit. Siç thashë edhe më lart, pasioni im është futbolli dhe kam njohje të hershme me shumë figura të futbollit shqiptar që kanë luajtur dhe luajnë ende. Jam njeri që kam marrë pjesë në mënyrë aktive në shumë diskutime për futbollin shqiptar dhe atë botëror dhe në shumë emisione sportive.
Ju natyrisht e dini që kur kam qenë Kryeministër, në vitin e mbrapshtë 1997, kur njerëzit nuk dilnin nga shtëpia, ne kemi organizuar një ndeshje futbolli midis politikanëve dhe gazetarëve sportiv. Dhe ajo që më lumturoi më shumë ishte mbushja e stadiumit “Qemal Stafa” me 20 mijë veta. Kjo tregon që gjithmonë e kam parë futbollin, si një mundësi për të përmirësuar probleme në shoqërinë tonë.
Disa futbollistë të kombëtares janë shprehur në favor të rivalit tuaj, cili është komenti juaj për këto qëndrime të hapura ndaj një kandidati?
Më vjen keq për qëndrimin e tyre, por është çështja e tyre. Më kanë ardhur mesazhe edhe nga këta futbollistë, të cilët më tregojnë se si ua kanë kërkuar nga Federata. Por, dua të theksoj që ka shumë lojtarë, të cilët më shprehin mbështetjen e tyre, edhe pse nuk është e nevojshme të dalin publikisht.
Duket se përqendrimi më i madh i debatit është te shoqatat që nuk janë të regjistruara në gjykatë, por që kanë të drejtë vote në Asamble. Çdo të bëhet me to?
Është një anomali shumë e rëndë, si ligjore, ashtu edhe morale për futbollin. Për vite me radhë, kanë votuar dhe janë miratuar në mënyrë ilegale disa shoqata. Ligji dhe statuti nuk e lejon që të votojnë, pasi nuk janë anëtare të ligjshme. Pasojat që mund të shkaktojnë Shoqatat e paregjistruara vijnë më së miri nga rasti i Federatës së Karatesë dhe Federatës së Skive.
Pasi janë bërë zgjedhjet në këto Federata dhe kanë votuar Shoqata që nuk kanë qenë të regjistruara në Gjykatë, KAS-i i ka cilësuar zgjedhjet si të pavlefshme dhe ka urdhëruar që të ribëhen zgjedhjet. Ne, duhet ta evitojmë këtë gjë. Uroj gjithashtu, që votuesit ilegal, të mos përdoren dhe të vetësakrifikohen, pasi kështu thjesht dëmtojnë futbollin. Për më tepër, është një çështje që ka shkuar në Prokurori.
Cilat janë premtimet tuaja që do të realizoni nëse jeni pas datës 7 shkurt President?
Kam një platformë me shumë pika. Pikat kryesore janë:
Rikthimi i besimit te publiku, i cili do vijë nëpërmjet luftës ndaj paracaktimeve. Duke pasur një Komision Etike më të përkushtuar, do luftojmë çdo anomali të ndeshjeve, duke i çuar në Prokurori. Gjithashtu, do ketë monitorim edhe të aktivitetit të arbitrave.
Masivizimi i futbollit, i cili së pari vjen me rikthimin e besimit. Më pas me investime, ku kemi planifikuar një fushë të re stërvitore në çdo rreth të Shqipërisë. Investimet do bëhen në mënyrë transparente dhe jo klienteliste, siç ka pasur raste që ka ndodhur.
Zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve të futbollit. Sërish me rikthimin e besimit te futbolli, do afrohen sponsorë të rëndësishëm për Kategorinë Superiore dhe jo vetëm, çka nënkupton më shumë të ardhura. Aktualisht, UEFA mbulon 64% të të ardhurave të klubeve, duke treguar se Federata është thuajse inekzistente në këtë aspekt. Në klasifikimin e përgjithshëm të Europës, para nesh ishin edhe vende si Irlanda e Veriut, që kanë një futboll gjysmëamator. Të renditesh në vendin e 52 nga 54 shtete, është një tregues shqetësues, për të cilin do e përmirësojmë patjetër.
Kalimi i pronësisë nga Bashkitë te privati. Është e nevojshme, që duke garantuar më tepër të ardhura për klubet, do ketë edhe më tepër kërkesa që të afrohen investitorë seriozë në futboll.
Krijimi i Ligës Profesioniste dhe Amatore, i cili do i japë klubeve më tepër autonomi në vetëadministrimin e tyre financiar, zgjedhjen e dizenjatorit të arbitrave e shumë më tepër.
Kufizimi i mandatit të presidentit, i cili duhet të bëhet në dy zgjedhje të njëpasnjëshme.
Krijimi i Akademisë së Yjeve, i cili konsiston në afrimin e figurave të njohura të sportit tonë. Ata do ndihmojnë jo vetëm në promovimin dhe nxitjen e të rinjve që të merren me sport, por edhe që të rrisin profesionalizmin.
Ndërtimi i pesë stadiumeve të rinj. Një objektiv që do realizohet, në bashkëpunim me shtetin.
Kemi parë që nuk jeni marr shumë me rivalin tuaj dhe për ato që ai s’ka bërë për sportin pas katër mandatesh. Përse kjo zgjedhje?
Fakti që unë flas për platformën, tregon që unë dua t’iu kujtoj anëtarëve të Federatës që platforma ime është kryekëput e ndryshme nga ato që kanë ndodhur për 16 vite nga zoti Duka. Gjithsesi, aktualisht zoti Duka është i kallëzuar në Prokurori nga një anëtar i Federatës. Mbase, edhe ky është një tregues që janë bërë edhe gabime ligjore, përpos punëve të pakryera.
Ju duket se pika e tij më e fortë është kualifikimi në Europian?
Kualifikimi ishte një sukses për futbollin shqiptar. Natyrisht që është sukses i vetë futbollistëve në radhë të parë, për ndeshjet e shkëlqyera që kanë bërë. I stafit teknik me në krye De Biazin. Dhe në fund, me stafin drejtues të Federatës. Por, futbolli nuk është vetëm Kombëtarja. Puna e Federatës, reflektohet te futbolli vendës. Aty ku çalon në shumë aspekte, sidomos te niveli i ulët i besueshmërisë dhe shikueshmërisë.
Një nga problemet që ka qenë shumë evident është shitblerja e ndeshjeve. Çdo të bëni për të frenuar me këtë fenomen?
Pastërtia në futboll është një nga pikat kryesore në platformën time. Krejt ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri tani, nuk do “mbyllen më sytë” nga anëtarët e Komisioneve për ndeshje, që i dallojnë të gjithë që janë anormale. Do kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me organet kompetente, që kushdo që guxon të paracaktojë ndeshjet e futbollit, të përgjigjet ligjërisht. Nuk duhet që fëmijët tanë të rriten me idenë se një ndeshje futbolli mund të vendoset në tavolinë. Ky është një fenomen, që fatkeqësisht e kemi parë deri tani.
Gjyqtarët shpesh ankohen se kanë pagesa të vogla, dhe jo rrallëherë është aluduar se është një nga arsyet e shitjes së ndeshjeve. Do të bëni rritje pagash për arbitrat?
Arbitrat do kenë vlerësim maksimal, për aq sa i takon Federatës, pasi kanë një detyrë shumë të rëndësishme në futboll. Por, ajo që nuk do lejohet, është dystandardizimi i arbitrave. Kemi gjyqtarë të aftë që bëjnë ndeshje të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare dhe në kampionatin tonë, bëjnë gabime amatoreske, në kufijtë e keqdashësisë. Ky fenomen, padiskutim që do jetë në vëmendjen maksimale tonën.
Gangrena më e madhe e futbollit shqiptar ka qenë dhunë nëpër stadiume. Çdo të bëni për këtë fenomen, pasi ka ndikuar dhe në largimin e publikut nga shkallët e stadiumit…
Do ketë propozime për ndryshime në Kodin e Disiplinës Sportive. Kryesorja është që Komisionet e drejtësisë pranë Federatës të marrin vendime të drejta dhe të mos ketë favorizime të klubeve ose futbollistëve të caktuar, në raste dhunës.
Do e luftojmë me të gjithë instrumentet këtë fenomen, duke përfshirë edhe monitorimin më të saktë dhe të detajuar të të gjitha ndeshjeve, në të gjitha kategoritë. Gjithashtu, për mua nuk është e logjikshme, që për një akt dhune të një tifozi, të mbyllen dyert e të gjithë stadiumit. Do ketë propozime për dënime alternative. Na pret një punë e madhe përpara…(DITA)