Vrasja e 4 protestuesve në 21 Janar të vitit 2011 mbetet një prej dosjeve më të nxehta të viteve të fundit që me gjithë presionet politike drejtësia nuk bëri drejtësi. Kjo çështje është risjellë në fokus në emisionin “Real Story” në Vizion Plus ku në panel ishin një grup gazetarësh që sollën fakte të njohura por edhe detaje të reja.
Analisti Mero Baze, deklaroi se në 21 janar u qëllua drejt stendës mbi të cilin ishin vendosur gazetarë, referuar plagosjes së Fatos Mahmutajt. Ai tha se kjo meriton një hetim veçmas.
“Në 21 janar është qëlluar mbi tavolinën e gazetarëve, kjo duhet hetuar më vete. Fatos Mahmutaj shpëtoi mrekullisht, atë e kapi plumbi në dorë”, tha Baze.
Ndërkohë gazetari investigativ Artan Hoxha tha se u qëllua mbi tubuesit kur protesta ishte drejt shuarjes gjë që e bën edhe më të rëndë dhe të dyshimtë vrasjen e 4 protestuesve. Ai foli edhe për hyrjen e deputetit të atëhershëm Arben Çuko brenda rrethimit për të komunikuar me ish-vartësit e tij gardistë.
“Në pamjen që nxjerr Agim Llupon, ai e hedh karikatorin e parë, dhe kërkon tjetrin të vazhdojë të qëllojë. Vrasjet u bënë në momentin që protesta ishte në shuarje, turma kishte hyrë 3 herë brenda rrethimit. Brenda hyri ish-komandanti i gardës Arben Çuko që i tha ish-vartësve mos të qëllonin, të rrinin të qetë se nuk kishte asnjë qëllim të hyhej brenda. Kur turma kishte rënë në 20-25 % të fillimit u goditën”, tha Hoxha.
Më tej ai dha edhe një fakt që sipas tij tregon se nuk ka pasur asnjë sulm nga jashtë dhe nuk rrezikohej kryeministria.
“Nga ekspertiza që u bë, u gjetën shenja plumbash te kullat, edhe pas aty ku ishte ambsada serbe. Nuk ëhstë gjetur asnjë shenjë në muret e kryeministrisë, kjo tregon se nuk ka pasur zjarr nga jashtë”, deklaroi më tej gazetari Hoxha.
/a.m.