Bashkëshortja e Olsi Hoxhallarit është në mesin e 10 familjarëve dhe të afërmve të familjes, të shoqëruar në Polici lidhur me ngjarjen. Grupi hetimor ka dyshimeve të forca se, 41-vjeçari Olsi Hoxhallari dhe nëna e tij, Salike Hoxhallari, janë vrarë nga një person i afërt në befasi, pasi fqinjët nuk kanë dëgjuar asnjë.
Në bazë dhe të dhënave nga ekspertiza mjeko-ligjore, dyshohet se 41- vjeçari mund të jetë goditur me sëpatë, ndërsa gruaja është mbytur me tel ndërsa po flinin. Një prej të dyshuarve për ngjarjen është dhe bashkëshortja e Olsi Hoxhallarit. Në dëshminë e saj para grupit hetimor, nëna e një djali 3 vjeç, është shprehur se ka qenë me burrin dhe vjehrrën deri pak orë para ngjarjes dhe vetë ata i kanë kërkuar që të shkojë të vërë djalin e vogël për të fjetur.
“Dola nga dhoma para orës 23:00, për të vënë djalin në gjumë. Një orë më pas pashë që drita ishte ndezur dhe pastaj dhe mua më zuri gjumi. Më vonë, kam dëgjuar një shpërthim të vogël. Kur shkova, derën e gjeta të mbyllur nga brenda dhe e hapa me forcë. Kur hyra brenda në dhomë, i gjeta të dy pa shenja jete, ndërsa orenditë ishin djegur thuajse të gjitha”, ka deklaruar bashkëshortja e Olsi Hoxhallarit. Në familjen Hoxhallari, dy vite më parë, ka pasur një konflikt. Shkak është bërë një shumë prej 12 milionë lekësh të vjetra, të vjedhura në banesën e Olsit.
Për këtë ngjarje, Policia arrestoi si autor të dyshuar vëllain e tij dhe më pas Gjykata e dënoi këtë të fundit me burg, duke e shpallur fajtor. Kjo ngjarje besohet se është shkak që ka çuar në përshkallëzimin e konfliktit brenda në familje. Kjo, pasi vetë i vëllai, por edhe bashkëshortja e tij nuk e pranonin një gjë të tillë. Kjo histori besohet nga grupi hetimor se është zanafilla që më pas mund të ketë shkaktuar dhe krimin brenda familjes dhe në një hakmarrje nga bashkëshortja e vëllait të dënuar. Por nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia e një vrasjeje nga ana e vetë bashkëshortes së Olsi Hoxhallarit, edhe pse mbeten ende mister arsyet që mund ta kenë shtyrë këtë të fundit drejt një akti të tillë. Mësohet se, familja jetonte në kushte jo të mira ekonomike./a.m.