Ish drejtuesit e CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të akuzuar për mashtrime me pasoja të rënda, duket se e kanë marrë peng procesin penal që po zhvillohet ndaj tyre në gjykatën e Tiranës.
Prej 9 muajsh, që nga maji i vitit të kaluar, nuk është bërë e mundur të fillojë procesi ndaj çekëve për shkak të kërkesave të ndryshme proceduriale. Me ritmet aktuale ky proces mund të mbushë vitin pa filluar gjykimin. Më herët avokati i çekëve kishte kërkuar pushimin e çështjes me pretendimin se marrëveshja e mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe CEZ përjashton drejtuesit e kompanisë nga ndjekja penale.
Për këtë kërkesë nuk pati ndonjë vendim përfundimtar, pasi gjyqtari Sokol Tona kërkoi më parë të njihej me provat. Sipas prokurorisë, dy ish-drejtuesit e CEZ kanë qenë bashkepunëtorë të ish-administratorit të kompanisë DIA Kastriot Ismailaj, i cili duhet të mblidhte detyrimet e papaguara të debitorevë të CEZ-it.
Por Kastriot Ismailaj u dënua nga gjykata për mashtrim me pasoja të rënda me 11 vite burg dhe rreth konfiskim të rreth 4.3 milionë eurove. /Top Channel/a.m.