Personat që kanë probleme me drejtësinë në vendet e BE-së ose janë dëbuar nga zona ‘Schengen,’ vjedhin identitetin e bashkëqytetarëve të tyre për të siguruar dokumente udhëtimi të falsifikuara.
Nga Edmond Hoxhaj
Me 18 dhjetor 2012, policia zviceriane deportoi në Rinas nje 35-vjeçar që ishte ndaluar në Bernë, pa mjetet financiare të nevojshme për të justifikuar qendrimin e tij sipas rregullave të udhëtimit pa vizë në zonën ‘Schengen.’
Kur mbërriti në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, 35 vjeçari i paraqiti policisë shqiptare pasaportën e tij biometrike, ku thuhej se emri i tij ishte Julian dhe kishte lindur në qytetin e Kavajës.
Por gjeneralitet e tij nuk i kanë bindur oficerët e policisë së kufirit, të cilët kanë nisur një hetim i cili ka zbuluar se 35 vjeçari ishte shtetas kosovar, i quajtur Shkëlzen Zeka nga Prishtina dhe pasaportën shqiptare të falsifikuar e kishte paguar 4 mijë euro.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Prokuroria e Përgjithshmë nëpërmjet një kërkese për të drejte informimi, tregojnë se rasti i Zekës nuk është i vetëm dhe gjatë tre viteve të fundit janë regjistruar qindra procedime penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave.”
Një numër çështjesh gjyqësore të shfletuara nga BIRN, tregojnë se vjedhja e gjeneraliteteve bëhet kryesisht nga persona që nuk kanë mundësi të udhëtojnë në hapsirën ‘Schengen,’ për shkak të dënimeve të mëparshme penale ose shkeljes së rregullave të qendrimit.
Ndërkohë, punonjësit e zyrave të gjendjes civile, policisë dhe të koncesionarit të prodhimit të pasaportave biometrike ‘Safran Aleat Group,’ i thanë BIRN se pa ndihmën ose neglizhencën e një prej tre hallkave të përfshira në nxjerrjen e pasaportave, falsifikimi i gjeneraliteteve do të ishte i pamundur.
Nga numri i rasteve të kryerjes së veprës penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave” nga persona të ndryshëm të regjistruara nga organi i akuzës gjatë tre viteve të fundit, rezulton se “vjedhja” e gjeneraliteteve të personave të tjerë në Shqipëri është një fenomen gjerësisht i përhapur.
Sipas të dhënave që Prokuroria e Përgjithshme i dha BIRN pas një kërkese për të drejtën e informimit, gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016, në rang vendi janë regjistruar 609 procedime penale për veprën penale të sipërcituar.
Nga të dhënat rezulton se në vitin 2014 janë regjistruar në total 186 procedime, me trend rritje për vitin 2015 ku janë zbuluar 217 raste dhe për vitin 2016 gjithsej 206 raste. Nga 609 procedimet e tre viteve të fundit, një pjesë e mirë e tyre, 253 janë regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se kosovari Shkëlzen Zeka kishte aplikuar për t’u pajisur me pasaportë në ish-komunën Levan të Fierit më datë 2 qershor 2011, duke përdorur gjeneralitete të rreme të shtetasit nga Kavaja Julian T. Ky i fundit rezultonte të ishte larguar nga Shqipëria më datë 21 janar 2008 drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ishte kthyer më.
Në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për këtë procedim, një kopje të të cilit BIRN e disponon, shkruhet se për lëvizjet e Julian T. jashtë vendit duhet të kenë pasur informacion dy shtetas shqiptarë –një i identifikuar si Besnik Gashi dhe tjetri si Agim, të cilët i kanë “vjedhur” identitetin duke e përdorur pranë Zyrës së Gjendjes Civile të ish-Komunës Levan të Fierit. Këta dy shtetas kanë pajisur me pasaportë biometrike dhe kartë identiteti të pandehurin Shkëlzen Zeka kundrejt shumës prej 4 mijë euro.
Zeka u deklarua fajtor nga gjykata për veprën penale “falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, e cila vendosi dënimin e tij me 9 muaj burg.
Për të shmangur hapsirat ligjore që mundësonin falsifikimin e gjeneraliteteve lehtësisht, Ministria e Brendshme nxori në nëntor 2011 ‘urdhërin Nr.394/4, “ që detyron kryerjen e verifikimeve më të plota në lidhje me identitetin e aplikantit nga policia si edhe procedurën e pajisjes me pasaportë e kartë identiteti vetëm në zyrën e gjendjes civile ku është i regjistruar.
Por pavarësisht ndryshimit të procedurave të aplikimit për t’u pajisur me pasaportë, ky fenomen rezulton të ketë vazhduar edhe pas nëntorit të vitit 2011. Nga vendimet gjyqësore të para nga BIRN, rezulton se pas këtij urdhëri, ka pasur raste kur kanë qenë vetë personat përgjegjës për verifikimin e identitetit të aplikuesve që i kanë ndihmuar të marrin gjeneralitetet e qytetarëve të tjerë.
Kështu, në Vendimin nr.62-2017-5874, datë 30 nëntor 2017, citohet se më datë 22 prill, 2016, në sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, është dërguar informacioni në lidhje me shtetasit Adem (Raldi) Bogdani dhe shtetasin Viron H., Në këtë informacion pretendohej se në pasaportën biometrike të lëshuar më datë 6 nëntor 2012, me gjenralitete të Viron H., nuk ndodhet fotografia e tij, por fotografia e një personi tjetër që është e ngjashme me atë të Adem (Raldi) Bogdani.
“Në këtë periudhë rezulton se të dy këta shtetas kanë qenë jashtë shtetit,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Fierit. Nga hetimet e kryera nga prokuroria, ka rezultuar se ka qenë punonjësi i “Aleat”, i pandehuri Elmir Dashi, ai që ka falsifikuar gjeneralitetet e të pandehurit tjetër, Adem(Raldi) Bogdani.
Një prokuror pranë Prokurorisë së Fierit, i cili foli nën kushtet e anonimatit, u shpreh për BIRN se në më të shumtën e rasteve, falsifikimi i pasaportave kryhet nga persona që kanë precedentë penalë jashtë shtetit ose dëbime apo penalizime të tjera nga autoritetet e vendeve të ndryshme.
Sipas këtij burimi, personat që falsifikojnë idenitetin e tyre, të ndihmuar edhe nga persona të tjerë, preferojnë gjeneralitetet e individëve që nuk ka gjasa të aplikojnë për pasaportë, si ata që jetojnë prej vitesh e dekadash jashtë shtetit, barinj, endacakë, apo edhe të atyre që kanë ndërruar jetë. Të dhënat nga vendimet gjyqësore, tregojnë se në disa raste falsifikimet ndodhin dhe brenda familjes.
Në vendimin nr.62-2017-5917/668, datë 04 dhjetor 2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fieri, citohet se i pandehuri Ariol Muçaj, ka pranuar se ka deklaruar gjeneralitetet e vëllait të tij kur ka aplikuar për pasaportë, pasi ndaj tij ishte marrë një masë nga autoritet greke.
“Nga deklarimet e shtetasit Ariol Muçaj, rezulton se, aplikimin për t’u pajisur me pasaportë biometrike duke përdorur të dhënat e vëllait e kishte bërë nisur nga fakti se, në pasaportën e tij kishte të vendosur një gjobë nga policia greke,” shkruan vendimi.
“Duke qenë se dëshironte të shkonte sërish në këtë vend, ai kishte aplikuar për një pasaportë të re, por me të dhënat e vëllait”, citohet në vendimin e sipërcituar.
Të pyetur nga BIRN mbi rrezikun që përbën vjedhja e identitetit për qytetarët, punonjës të policisë, të zyrës së Gjendjes Civile në Fier dhe pranë një prej zyrave të kompanisë “Aleat” në këtë qytet, në kushtet e anonimatit theksuan se, nëse në të gjitha hallkat do të zbatohet legjislacioni përkatës, atëherë është e pamundur që dikush të falsifikojë gjeneralitetet.
“Qytetari fillimisht paraqitej në zyrën e gjendjes civile për të marë çertifikatën. Ndërsa tani ka ndryshuar procedura, e printon vetë komisariati çertifikatën, inspektori i zonës bënë verifikimin fizik të personit dhe prej andej vjen një formular me foto dhe me vulën tek foto nga policia, e firmosur nga inspektori i zonës dhe shefi i komisariatit,” u shpreh një prej punonjësve të zyrës së gjendjes civile Fier.
“Përderisa verifikohet personi fizikisht, nuk ka mundësi për falsifikim identiteti. Zyra e gjendjes civile përgjigjet për gjeneralitet në regjistrin kombëtar. Është e pamundur që kur të bëhet aplikimi të kryhet falsifikimi i gjeneraliteteve pasi aty është edhe punonjësi i Aleat, edhe ai i gjendjes civile,” përfundoi ai. BIRN
ma.me