Është pritur me protesta nisja e procesit për zhvarrimin e ushtarëve grekë në Dragot të Tepelënës.
Një grup qytetarësh me flamuj e pankarta në duar kundërshtojnë marrëveshjen e qeverisë shqiptare me atë greke për zhvarrimin e të rënëve grekë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941.
Procesi parashikon lokalizimin, zhvarrimin, identifikimin dhe pastaj varrimin e tyre në dy varreza, në Bularat dhe Këlcyrë, sipas vendimit të qeverisë shqiptare në 13 dhjetor të vitit të kaluar.
Punimet për zhvarrimin do të fillojnë në Dragot të Tepelenës. Nën mbikqyrjen e komisionit dypalësh do të gërmohet në vendet ku sipas hartave italiane të kohës, por edhe dëshmive të banorëve, janë varrosur qindra ushtarë grekë që ranë gjatë betejave të përgjakshme me italianët.
Punimet do të vazhdojnë kudo ku mendohet se ndodhen eshtrat e rreth 6.800 grekëve, nga 8.000 që u vranë në periudhën nga nëntori 1940 deri në prill 1941.