Qeveria nis më 1 shkurt aksionin derë më derë për ndërprerjet e lidhjeve të jashtëligjshme të ujit. Pak ditë para nisjes së aksionit, zv.ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Hantin Bonati, zhvilloi dje një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit.
Zv.ministri Bonati u kërkoi prefektëve të monitorojnë punën e grupeve të punës gjatë aksionit, të cilët do të shkëpusin të gjitha lidhjet informale dhe qytetarët që do të tentojnë t’i lidhin sërish do të ndiqen penalisht. “Duhet kujtuar që 1 shkurti është data kur do të nisë aksioni derë më derë dhe çdo ndërhyrje do të penalizohet, sikundër e parashikon ligji”, u shpreh Bonati, shkruan “Panorama”.
Zv.ministri i Energjetikës Bonati tha se fillimisht në fokus të aksionit do të jenë institucionet buxhetore, biznesi e më pas qytetarët. Bonati u ndal edhe te kontrolli që duhet bërë ndaj institucioneve publike dhe nëpunësve të administratës.
“Punonjësit e administratës publike duhet të japin shembullin e tyre të parë për këtë. Duke e përshkallëzuar këtë edhe te bizneset, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre, ku në mjaft raste ka edhe shpërdorues të ujit dhe duke vazhduar më pas deri tek qytetarët. Fokusi do të jenë institucionet publike, bizneset dhe pastaj do të jetë ndërhyrja tek qytetarët. Vëmendja juaj në këtë rast duhet të jetë në tre elementë kryesorë. Është zbatueshmëria e urdhrit të Kryeministrit që gjithë institucionet publike të formalizojnë formën e tyre të bashkëveprimit me shoqëritë”, nënvizoi Bonati.
Reforma e ujit do të përfshijë edhe formalizimin e puseve të ujit që janë hapur nga qytetarët apo bizneset. Në Kuvend kanë mbërritur ndryshimet e ligjit për burimet ujore, ku propozohet që të gjithë ata qytetarë që kanë hapur puse për shfrytëzimin e ujërave nëntokësore t’i formalizojnë.
Projektligji parashikon 6 muaj afat për formalizimin e puseve të hapura, në rast të kundërt, qytetarët apo bizneset që i shfrytëzojnë ato në formë informale do të gjobiten. “Afati, brenda të cilit subjekteve do iu jepet e drejta e formalizimit, do të jetë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit. Subjektet që vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar, nuk do të ndëshkohen për kundërvajtjen administrative të kryer”, thuhet në relacionin e projektligjit./Panorama/a.m.