Pezullohet nga detyra Shefi i Hetimit të Krimit në drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Korçë, Edmond Çela, pronar i linjës së autobusëve ku u gjet dje 2 kg heroinë.
Çela është pezulluar nga SHÇBA pas sekuestrimit të 2 kg heroinë nga policia greke ne autobusin e linjës Shqipëri-Greqi. Sakaq çështja e heroinës së sekuestruar në Kapshticë i ka kaluar Krimeve të Rënda. Policia lokale po vijon hetimet për mundësinë e implikimit të personave të tjerë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike me Greqinë. Pjesë e hetimit do të jetë edhe oficeri i policisë i pezulluar nga detyra Edmond Çela.
Po ashtu, raportohet se janë pezuluar edhe 5 policë lidhur me këtë ngjarje. Ata do qëndrojnë te pezulluar deri në fund të hetimeve për të zbuluar nëse janë të përfshirë në trafik.
Kujtojmë që heroina në autobusin me pasagjerë u gjet vetëm pas kontrollit të specializuar të skanerit grek.
Ishte Policia Kufitare shqiptare ajo që u informua fillimisht se në autobusin me pasagjerë po transportohej edhe heroinë, por pavarësisht kontrollit fizik të kryer në automjet, si edhe me skaner, nuk u arrit të zbulohej droga.
U desh kontrolli i detajuar me skanerin e specializuar të palës greke, që të zbulohej lënda narkotike. Menjëherë pas ngjarjes Policia e Korçës arrestoi shoferin.