Bashkia e Tiranës ka nisur shpërndarjen e kartave të rezidentit për qytetarët të cilët përfitojnë parkim pa pagesë të automjetit në zona të ndryshme të qytetit. Pas rezultateve të kënaqshme të zonës së parë të pilotuar, në funksion të këtij projekti, ekipi i Tirana Parking ka nisur fushatën “ Door to Door” të mbledhjes së të dhënave që nevojiten për realizimin dhe shtrirjen e këtij projekti edhe në pjesë të tjera të qytetit. Ditën e djeshme specialistët ishin në bllokun e pallateve mbas ish- Ekspozitës, ku qytetarët rezidentë do të kenë hapësira parkimi pa pagesë brenda zonës ku banojnë, me përjashtim të hapësirave të 3 zonave të tjera apo rrugëve kryesore të përcaktuara me sistem tarifimi.
Kartat e Rezidentit do të ofrohen për afatin kohor 12 mujor. Kjo pullë identifikuese është “e personalizuar” dhe do të duhet të vendoset brenda xhamit, në pjesën e përparme të automjetit, “lehtësisht e dukshme” ku shënohet targa e automjetit, afati i vlefshmërisë, numri serial, si dhe numri i zonës. Pajisja me Kartën e Rezidentit nuk i jep të drejtën rezidentit që të parkojë pa pagesë në rrugët e caktuara me sistem tarifimi (vendparkimet e vijëzuara me Blu).
Gjithashtu, vendet të cilat janë të përcaktuara për rezidentët nuk janë të personalizuara, që do të thotë se në këto hapësira kanë të drejtë të parkojnë të gjithë banorët që janë rezidentë të asaj zone. Kjo kartë do mund të përfitohet nga qytetarët rezidentë (fillimisht 1 mjet/familje), vetëm pasi të jenë dorëzuar dokumentet që vërtetojnë se qytetari është rezident në një zonë të caktuar, përkatësisht:
1. Certifikatë Familjare.
2. Vërtetim Banimi.
3. Kopje e certifikatës së pronësisë ose kontratës së qirasë /huapërdorjes.
4. Certifikatë për vërtetim pronësie e makinës ose autorizim për përdorim automjeti.
5. Leje qarkullimi e automjetit që do të pajiset me kartë rezidenti
6. Fotokopje e taksave vjetore të makinës.
7. Fotokopje e faturës së UKT-së ose OSHE-së.
Përmes zbatimit të këtij projekti do të zgjidhet dhe një nga problematikat kryesore në qytetin e Tiranës, parkimi i automjeteve.
Projekti i Rezidentit, në përputhje me VKB Nr. 49 dt.11.11.2015, e ndan qytetin e Tiranës në 4 Zona Administrimi të Parkimit (ZAP 1, 2, 3, 4)