Ish presidenti i Katalonjës, Puigdemont, pret që të zgjidhet sërish në këtë post më datën 31 janar. Në një intervistë radiofonike ai u shpreh se mund të qeverisë vendin dhe duke qëndruar në ekzil në Belgjikë.
Ish presidenti i Katalonjës Puigdemont, aktualisht në ekzil në Belgjikë, por kandidat për rizgjedhjen në të njëjtin post, deklaroi se mund të qeverisë dhe nga Belgjika. Fronti pro pavarësisë, që më 21 dhjetor mori mazhorancën absolute në parlament, kërkon që ai të zgjidhet sa më shpejt, por pa u detyruar të kthehet në Spanjë ku rrezikon burgosjen e menjëhershme.
Një ditë më parë Puigdemont, dhe deputetët e tjerë në ekzil në Bruksel, i kërkuan parlamentit katalanas mundësinë për të deleguar votat e tyre. Dhe në seancën e së enjtes një kërkesë e njëjtë u miratua për tre deputetët e tjerë aktualisht në burg në Madrid.
Por qeveria në Madrid deklaroi se do i drejtohet gjykatës kushtetuese nëse Puigdemonit do i lejohet të votojë nga ekzili, transmeton abcneës.al. Kryetari i ri i Parlamentit katalanas Rozher Torrent, bëri takimet e para me grupe parlamentare për të pasur një kandidat president i cili mund të marrë mbështetjen e duhur. Votimi për presidentin e ri katalanas do të bëhet në 31 janar.
Kryeministri spanjoll Rajoi paralajmëroi se do të zgjasë dhe më shumë mbajtjen në fuqi të nenit 155 të kushtetutës nëse Puigdemont do të zgjidhet president duke qëndruar në Belgjikë. Puigdemont këmbënguli se është e mundur të qeverisë në distancë falë përdorimit t teknologjisë deri në momentin që kushtetuta katalanase e lejon.
Ai kërkoi gjithashtu që zëvendës presidenti në detyrë Oriol Junnkeras I cili ndodhet në burg aktualisht, të ketë sërish postin e tij në qeverinë e re. Puigdemont shtoi se Madridi nuk mund të mbajë në burg një zëvendës president të zgjedhur, përgatiti Koha. (b.an)