Një 31-vjeçar me një histori “të pasur” kriminale, por edhe “i falur” dy herë nga Gjykatat, është arrestuar sërish nga Policia e Tiranës.
Bëhet fjalë për Klajdi Gjeçin, i njohur edhe si mik i Emiljano Shullazit, i përfshirë disa herë në ngjarje të rënda kriminale. Ngjarja më e bujshme, ku u përfol emri i tij, është ajo e vitit 2011, kur në banesën e ish zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, shpërtheu një sasi eksplozivi.
Në atë kohë Gjeçi u arrestua, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, si i dyshuar për këtë ngjarje, u gjet një pistoletë pa leje. Ai pretendoi se ishte një armë e vjetër, që e mbante për vetëmbrojtje, ndërsa mohoi të kishte lidhje me sulmin në banesën e zv.drejtorit të Policisë.
Pak kohë pas arrestimit, ai u lirua nga burgu, pasi të gjitha shkallët e gjyqësorit, edhe pse e konsideruan të ligjshëm arrestimin, ndryshuan masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”, me arsyetimin se nuk kishte pasur leje për kontroll banese.
ARRESTIMI
Policia e Tiranës njoftoi dje se është arrestuar autori i dyshuar i shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive tek “Liqeni i Thatë”. Ndërsa shtoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Sipas Policisë, personi i ndaluar ka qenë i dënuar më parë edhe për shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
“Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, si dhe të kapjes së autorëve apo të personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim, Klajdi Gjeçi, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit’. Gjykata e Tiranës, ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprën penale të ‘Vjedhje’ e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, ky shtetas dyshohet si autor për veprën penale ‘Shkatërrimi i pronës me eksploziv’, tek ‘Liqeni i Thatë’, ku pranë një pikë inertesh,i është vendosur lëndë eksplozive automjetit në pronësi të shtetasit Ndok Rajta”,- tha dje Policia e Tiranës.
NGJARJET
Klajdi Gjeçi, i cili u arrestua dje nga Policia, është një eksponent i njohur kryesisht për Policinë Kriminale. Në vitin 2011, ai është proceduar për armëmbajtje pa leje, ndërsa në vitin 2015, për plagosje të rëndë me dashje.
Në të dyja këto raste 31-vjeçari është lënë i lirë nga Gjykata, pasi çështjet janë pushuar. Klajdi Gjeçi ka qenë person i dyshuar, gjithashtu edhe për vendosjen e eksplozivit në banesën e ishzv.drejtorit të Policisë së Tiranës, ngjarje e ndodhur më 8 Dhjetor 2011.
Në atë kohë, Policia kishin dyshime të forta se 31-vjeçari ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Kjo ka qenë arsyeja që Policia shkoi për kontroll në banesën e tij dhe e arrestoi për armëmbajtje pa leje. Por Gjykata më pas e la të lirë me pretendimin se Policia duhet të kishte marrë urdhër gjykate për të kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit.
Ndërsa në lidhje me një plagosje të rëndë me dashje, të ndodhur më 15 maj 2015, Klajdi Gjeçi u la i lirë 4 muaj më vonë, pasi i dëmtuari E. Nushaj e tërhoqi padinë. Në dhjetor 2015, u raportua se Klajdi Gjeçi u mor peng nga tre persona me një automjet “BMW X5” dhe u dhunua prej tyre derisa u zbulua nga Policia. Por pas lirimit, ai pretendoi se nuk ishte mbajtur peng dhe as nuk ishte dhunuar nga njeri.
PRECEDENTET
Më 30 shtator 2017, në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, dyshohet se Klajdi Gjeçi i ka vendosur një sasi eksplozivi në makinë biznesmenit Ndok Rajta. Nga shpërthimi, fatmirësisht nuk pati persona të plagosur.
Në korrik të vitit 2016, Gjeçi u denoncua nga një 21-vjeçar, me iniciale O.Dh., i cili pretendonte se ishte dhunuar dhe kërcënuar me pistoletë në kokë, për shkak të një borxhi të pakthyer. Tri javë pas këtij kallëzimi, i riu u plagos nga miku i Klajdi Gjeçit, në shenjë hakmarrjeje.
Më 25 dhjetor 2015, në afërsi të “Farmacisë 10”, në Tiranë, u raportua se Klajdi Gjeçi ishte marrë peng nga 3 persona, dy prej të cilëve u arrestuan, por vetë i dëmtuari nuk preferoi t’i denonconte, madje mohoi të ishte marrë peng.
Më 15 maj 2015, Klajdi Gjeçi u akuzua për plagosjen e rëndë të shtetasit E. Nushaj, ngjarje që ndodhi në Tiranë. Por 4 muaj më vonë, i dëmtuari e tërhoqi padinë, duke deklaruar se mosmarrëveshjet mes tyre ishin mbyllur. Në vitin 2012, ai u arrestua nga Policia po për armëmbajtje pa leje.
Më 8 dhjetor 2011, Klajdi Gjeçi u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe si i dyshuar për sulmin me eksploziv në banesën e ish-zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça, por u lirua disa muaj më vonë. Aktualisht, ndaj tij kishte dhe një masë sigurie “arrest me burg” në mungesë nga Gjykata e Tiranës, për vjedhje të kryer në bashkëpunim.