Policia Kufitare ka proceduar penalisht dy persona pasi kanë braktisur fëmijët e mitur në Itali për të përfituar azil me veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.
Në kuadër të masave për frenimin e migracionit të paligjshëm, apo atë të azil kërkimit, nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin L.Gj, 52 vjeç, banues në Belsh, Elbasan.
52 vjeçari ka udhëtuar drejt Italisë së bashku me djalin e tij të mitur 16 vjeç më datë 16 shtator të vitit 2017 dhe është kthyer i vetëm pasi ka braktisur fëmijën.
Në 18 janar të këtij viti u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 51 vjeçarin N.S, banues në Elbasan pasi me 30 shtator të vitit 2017 ka udhëtuar drejt Italisë së bashku me djalin e tij të mitur F.S 16 vjeç, ndërsa edhe ky ka braktisur fëmijën në Itali. /a.m.