Duket se prokuroria e Tiranës i ka marrë seriozisht hetimet për përmbytjet e ndodhura në autostradë mbrëmjen e 30 nëntorit 2017.
Për të bërë një hetim sa më të gjerë, prokuroria e Tiranës ka vendosur që t’i kërkojë Autoritetit Rrugor Shqiptar dosjen e projektit të ngushtimit të përroit në Urën e Limuthit në Autostradë.
Nga se bëhet ditur, kanë qenë të paktën 20 biznese, të cilat i janë drejtuar organit të akuzës, duke bërë kallëzim për dëmtim të pronës së tyre.
Nën drejtimin e prokurorit Ervin Karanxha, dosja në fjalë i është përcjellë komisariatit të policisë Vorë për të kryer hetime në terren.
Edhe pse është ende e paqartë dëmi i shkaktuar nga përmbytja, ekspertët thonë se ajo mund të jetë diku tek 1 milion euro./a.m.