Dhjetë të vdekur, avionë në tokë dhe linja hekurudhore të paralizuara. Ky është bilanci i valës së motit të keq që ka goditur Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë. Stuhi të forta vijnë nga Deti i Veriut dhe era e fortë ka ndaluar trafikun ajror për disa orë në mëngjes në aeroportin e Amsterdamit, një nga shpërndarësit kryesor të fluturimeve në Europë. Disa fluturime janë anuluar gjithashtu në Gjermani në aeroportet e Dyseldorfit dhe Mynihut.
Stuhitë e fuqishme kanë goditur vendet e veriut të Europës me erërat që arrijnë deri në 200 km/h.
Holandë – Deri tani numërohen 3 të vdekur dhe 1 i plagosur, të gjithë të goditur nga degët apo pemët e shkulura nga era. Përveç fluturimeve të pezulluara në aeroportin Schiphol, është ndaluar edhe lëvizja e trenave përgjatë hekurudhave kombëtare.
Belgjikë – Tërbimi i motit ka shkaktuar vdekjen e një gruaje e cila u zu nga një pemë teksa udhëtonte me makinë në juglindje të Brukselit. Të paktën 4 persona kanë mbetur të plagosur në Antverp, duke përfshirë një grua në gjendje kritike pasi u godit në kokë nga një objekt metalik. Qarkullimi i trenave të shpejtësisë së lartë është ndërprerë gjatë gjithë ditës. Përveç kësaj janë regjistruar 20 aksidente. Ka qenë i vështirë angazhimi i zjarrfikësve.
Gjermani – Dramatik ka qenë bilanci edhe në Gjermani, ku uragani “Friederike” ka vrarë të paktën 6 persona, duke përfshirë dy zjarrfikës të përfshirë në operacionet e shpëtimit. Rajoni më i prekur është ai i Vestfalisë veriore, ku janë regjistruar 3 viktima.
Britani e Madhe – Stuhia ka përfshirë gjithashtu Britaninë, ku janë goditur vende të lindjes me erën që ka tejkaluar 130 km/h. Në total pothuajse 50 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në disa komunitete të izoluara rurale.
France – Dëmtime për shkak të motit të keq ka pasur edhe në veri të Francës, ku të paktën 3 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike.