Nga Lorenc Vangjeli
Në më pak se dhjetë ditë nga protesta e paralajmëruar e 27 Janarit, populli opozitar po tendoset si sustë. Po e mbushin me energji për të shpërthyer në bindjen se të shtunën e fundit të janarit do të bëhet nami në Tiranë. Nga retorika luftarake e opozitës klima është e nxehtë, por ende jo e ndezur. Pak a shumë si përpara çdo lloj proteste që kanë bërë zakonisht të gjitha opozitat në Shqipëri, të majta e të djathta, që ditën “anti” me qytetarë në bulevard e shohin jo si betejë të rradhës, por si luftën finale dhe vendimtare.
Supozojmë se të shtunën e janarit ndodh ajo që pret opozita. Arrestohet Tahiri, për shembull. Po mirë, e pastaj? Supozojmë se në pranga përfundon edhe Dako i Durrësit, siç kërkon me tonin e prokurorit të popullit zoti Basha. Po mirë, e pastaj?
Shkon ca më tej fantazia dhe ditë të liga vijnë për vëllanë e kryeministrit dhe vëllanë e ministrit të brendshëm, për dhëndrin e bashkiakut tjetër apo dhe motra, vëllezër, bij e bija të njerëszve që ju kushton firma zyrtare për të prodhuar para të zeza nga paratë publike. Dakort, po pastaj? Çfarë ndodh pastaj me një vend që është mësuar që opozitën ta shohë si detashment sulmi kryesisht ndaj fëmijëve dhe kunetërve. Zoti Berisha dhe zoti Basha e dinë mirë se çfarë do të thotë një lloj i tillë opozite. Po bëjnë atë që nuk kanë dashur kurrë t’jua bëjnë dikur. Nëse zarat rrokullisen ndonjëherë dhe tregojnë faqen blu në ndonjë palë zgjedhje, me të gjitha gjasat, fëmijë e kunetër të kësaj ngjyre do të tregohen me gisht dhe do të shndërrohen në simbol të protestave të nesërme. Problemi është nëse Shqipëria bëhet një vend më i mirë për të jetuar nëse bëhet drejtësi dhe me koston e përmbysjes së botës? Problemi është nëse ndëshkimi është qëllim në vetvete dhe ndërtimi pasojë anësore. Nëse luftohet për të kapur kazmën e tritolin që përmbys dhe jo lapsin që projekton dhe mistrinë që ndërton. Po të dëgjohet Basha sot, njëlloj si Rama dje, përmbysja është qëllimi dhe jo mjeti për rivazhdim.
Supozimi po shkon dhe ca më tej. Susta popullore e fundjanarit opozitar është kaq e fortë sa Rama zëvendësohet nga Basha dhe Kryemadhi, Ruçi me Spahon, Taulanti me Edin, Xhafaj përsëri me Nokën, Albana bëhet “kryemjeke” në vend të Gertës e kështu me rradhë. Çfarë ishte poshtë – në pushtet – ngjitet lart dhe anasjelltas.
A ndryshon sipas premtimit magjik gjithçka në Shqipëri? A do të vazhdojë të thuhet nga ata që janë poshtë kësaj rradhe se “…kurrë Shqipëria nuk ka qenë më keq se kaq”! A thua se Shqipëria ka qenë realisht një kopësht i lulëzuar, me gardh me mure graniti dhe që varësisht rotacioneve politike mes të majtës dhe të djathtës, në 30 vjet po shkon poshtë e më poshtë. A thua se Shqipëria është vendi ogurzi ku ka vetëm vdekje dhe vrasje, grabitje dhe dhunime, shëmbje dhe shkatërrime. Po të besohej dje propaganda e majtë në opozitë, kështu ka qenë realisht çast mbas çasti, ditë mbas dite, stinë mbas stine dhe çdo vit i qeverisjes së djathtë. Po të besohet propaganda e opozitës së sotme, Shqipëria ëhstë një hambar i të keqes, ku nuk pihet ujë, por thithet Cannabis, ku nuk jetohet, por rrihet në pezulli vdekjeje, nuk dashurohet, por kush rënkon vetëm përdhunohet, ku gjithçka e gjithçka, e vizatuar me urrejtje dhe nga urrejtja është sterë e zezë dhe më keq se kurrë në një vend që ka pushuar së jetuari.
Nuk ka nisur sot dhe as nuk mbaron nesër. Së paku në tre dekadat e fundit të historisë moderne të vendit, për të mos u shtyrë më tej në kohën e diktaturës, ka një klimë të tendosur ankthi në vend. Në emër të luftës për pushtet. Në emër të ndarjes radikale të pjesëve politike në vend që e bëjnë gjithë vendin t’i ngjajë një trupi të pjestuar më dysh. Si Buda dhe Pesti me Danub në mes. Një trup ku çfarë bën një dorë, tenton ta ndalojë tjetra dhe çfarë drejtimi kërkon të marë një këmbë, kërkon ta pengojë tjetra. I ngjan njeriut që në rastin më të mirë punon me gjysmën matematike të mundësive reale të tij dhe që nuk ka shans ta ngjallë asnjë “terapi joge”. Për t’i thënë më pas: tani mjaft, çohu dhe ec!
Të mërkurën Tirana u mbyt në shi. Një ditë më pas, të enjten, në Tiranë ishte freskët, por kishte shumë diell. Në linjën e ndarjes mes pozitës dhe opozitës, edhe propaganda do ta konsideronte këtë segment të klimës, njëra si zhytje të vendit në fatkeqësi dhe tjetra si rilindje të vendit në dritë.
Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë. Edhe tendosja e sustës opozitare që, më pak se dhjetë ditë nga e shtuna e fundit e janarit, premton mrekullinë e përmbysjes, është një film i parë shumë herë në Shqipëri. Diferencat nuk i bëjnë njerëzit, por koha dhe emancipimi i shoqërisë që jo gjithmonë ndikohet apo kushtëzohet nga qeverisjet e saj. Edhe atëherë, nëse ndodhte mrekullia e premtuar nga opozita dhe ndëshkohej Saliu, Iliri, Lulzimi, Fatmiri, e të tjerë e të tjerë, përfshi bij, bija dhe kunetër, Shqipëria nuk do të ndryshonte me magji. Çfarë duhet ndryshuar është tjetër gjë. Duhet ndalur shndërrimi i vendit në rolin e atij të mjerit që qëndron në trotuar dhe kërkon lëmoshë duke demonstruar plagët dhe gjymtimet fizike. Një pjesë edhe të sajuara për të ngjallur përdëllimin e kalimtarëve. Për ca momnedha më shumë. Në fakt gjithçka bëhet për monedhat. Vetëm se për shumë, shumë më shumë monedha, kartmonedha dhe numra llogarish. Kjo është llogaria. E një opozite që realisht duhet të kuptojë se qeveris dhe një qeverisjeje që përballë çdo gabimi të saj, sillet si opozitë duarjashtë. Në një vend me qytetarë që u janë bërë nervat sustë nga mallkimet dhe rendin t’ja mbathin jashtë sepse kërkojnë qetësi edhe me çmim sakrifice. Pa i interesuar më fati i Tahirit të PD-së apo Bashës së PS-së.