Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka folur për problematikat e shëndetësisë në vendin tonë dhe nismat që ka ndërmarrë qeveria për përmirësimin e saj. E ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News24 të gazetares Eni Vasili, Manastirliu foli për fenomenin e largimit të mjekëve drejt Gjermanisë.
Ajo u shpreh se është në dorë të çdokujt të largohet, por se qeveria po bën gjithçka ka mundësi për përmirësimin e kushteve të punës kundrejt mjekëve, shkruan BalkanWeb.
“Nuk është se nuk ekziston si fenomen, nuk është shqetësim vetëm i Shqipërisë, por edhe mjekët italianë po shkojnë në Francë, edhe mjekët në Francë ikin në Amerikë. E rëndësishme është çfarë po bëjmë ne që mjekët të rrinë këtu. Po krijojmë kushte të mira pune, në muajin mars u rritën me 10% pagat. Turnet e natës janë dyfishuar, dhe bonusi që është miratuar tregon përgjegjëshmërinë e qeverisë për të mbajtur mjekë.
Njoh edhe raste të mjekëve që janë kthyer. Urdhri i Mjekut po përfundon të gjithë data-baze për këta mjekë. Nuk është statistikë reale, por ka shumë mjekë që marrin certifikata. Ata ikin dhe specializiohen jashtë vendit. Dhe atyre u duhet një certifikatë të sjelljes së mirë. Nuk do doja të ngrija një furtunë në gotë kur them se jemi duke pritur mjekë të rinj. Në total do të nxjerrim rreth 500 mjekë specialistë për 3 vite” tha Manastirliu.
Mungesa e mjekëve në spitalet rajonale
Manastirliu: Këtë problem do ta zgjidhim. Kemi lancuar dy programe, për sa i përket bonusit financiar për mjekët deri në vlerë 2.5 milionë lekë të vjetra plus pagën e mjekut. U bëj thirrje të gjithë mjekëve specialistë të cilët kanë dëshirë për të ofruar shërbime në spitalet rajonale mund të diskutojmë për kontratën sipas kushteve të përcaktuara. Program tjetër është ai i patronazhit, që vjen si mbështetje për qytetarët, se duam të ofrojmë shërbim në kohë dhe pranë vendbanimit. Me sistemin e patronazhimit, vetë mjekët e spitale universitare do të ofrojnë shërbim në spitalet rajonale. Ky është një shembull suksesi. Mjekët nuk janë të detyruar por janë në program patronazhimi. Spitalet universitare kanë përgjegjësi për edukimin e mjekëve të spitaleve të tjera. Këta mjekë do paguhen 100 mijë lekë të vjetra në ditë.
ma.me