Prokuroria e Elbasanit dërgon në Gjykatë dosjen e administratorit të KURUM, shtetasit turk Koray Zeytinoglu, drejtorit të blerjeve por dhe shoqërinë KURUM.
Ai akuzohet për mashtrim dhe pastrim të produkeve të veprës kriminale.
Koray Zeytinoglu, i datëlindjes 17.06.1977, me shtetësi turke dhe shqiptare, i cili ka patur detyrën e Administratorit të shoqërisë tregtare “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, gjatë vitit 2011 – 2012 akuzohet
për – “Mashtrim” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143, pikat 2 dhe 3 të K.Penal,
-“Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryer gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 287, pika1, gërma (a), dhe pika 2, të K.Penal.
Ndërkohë drejtori i Blerjeve të kësaj shoqërie tregtare, Yücel Aksu, të shoqërisë tregtare “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, me shtetësi turke dhe shqiptare akuzohet për “Mashtrim” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143, pikat 2 dhe 3 të K.Penal. Bëhet fjalë për vitin 2011- 2012.
Prokuroria informon: “Nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka rezultuar e provuar se, përgjatë dy viteve 2011-2012, të pandehurit Koray ZEYTINOGLU dhe Yücel AKSU, duke vepruar përkatësisht në detyrën e Administratorit dhe Drejtorit të blerjeve të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, kanë organizuar dhe zbatuar një skemë mashtruese lidhur me blerjen e lëndës skrap.”
Dy të pandehurit Yücel AKSU dhe Koray ZEYTINOGLU, në cilësinë e përfaqësuesve të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, përkatësisht, kanë nënshkruar dhe më pas depozituar, të dhënat mbi këto fatura tatimore të falsifikuara, pranë Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, dhe mbi bazën e këtyre dokumenteve të falsifikuara shoqëria “KURUM INTERNATIONAL” SH.A ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga skema e rimbursimit me TVSH-në.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se ky aktivitet kriminal i përfaqësuesve të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A është kryer edhe me shoqëri të tjera me qendër në Tiranë dhe në Durrës.
a.ç