Në mungesë të kuorumit, mbajtja e mbledhjes së Kryesisë në Kosovë, ku do të diskutohej edhe çështja e Gjykatës Speciale, u anulua.
Në mbledhjen, ku kishte mbërritur nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, kundërshtar i hapur i kësaj gjykate, munguan ligjvënësit e Vetëvendosjes.
Përfaqësuesit e misioneve të huaja diplomatike mbajtën më herët një takim me presidentin Hashim Thaçi. Po përpara mbledhjes, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie paralajmëroi se politikanët që kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të kenë pasoja të rënda.
“Specialja nuk do të gjykojë një popull, – u shpreh ai. – Nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie apo etnike, por vetëm individë të caktuar”.
“Kosova e ka themeluar Gjykatën Speciale për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata indvidë që janë akuzuar se kanë kryer krime gjatë konfliktit. Askush nuk do të mundet t’i rishkruajë librat e historisë në fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë. Por, realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda, për të cilat duhet të japin llogari”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA në Kosovë.
Kosova, sipas Delawie, duhet ta mbyllë këtë kapitull.
“Shtetet e Bashkuara, – kujtoi diplomati i lartë, – kanë investuar shumë në sistemin e saj të drejtësisë dhe përpjekja e shfuqizimit të këtij ligji nxjerr në pah interesat vetjake të një grushti personash”.
Raportuesi i posaçëm i Parlamentit Europian për Kosovën, Igor Sholtes u bë pjesë e debatit me deklaratën se shfuqizimi i Gjykatës Speciale do ta izolojë Prishtinën. Ai shpjegoi se një lëvizje e tillë do të përcillte shenja shumë të këqija për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe detyrimeve ndërkombëtare, e do të ketë pasoja për negociatat e mëtejshme të Bashkimit Europian me Kosovën.
a.ç