Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka risjellë në vëmëndje rastin e Valbona Reçit, mësueses së gjimnazit në Rrëshen e cila ngriti para kryeministrit Rama shqetësimin e mungesës së herceptinës, ilaçit që i shërbente në luftën kundër kancerit.
Sipas Beqaj, disa prej politikanëve që sot flasin për mungesën e këtij ilaçi janë përgjegjës për mos furnizimin e pacientëve shqiptarë në mënyrë të vijueshme.
Dhe për këtë Beqaj akuzon ish ministrin e Drejtësisë Petrit Vasilin se ka bllokuar listën e barnave të rimbursueshme, mes të cilave edhe herceptina.
Sipas Beqajt, Vasili e bllokoi miratimin e listës së ilaçeve të rimbursueshme jo për arsye juridike por për interesa të drejtpërdrejta të shpërndarësve farmaceutike.
“Përgjigjen më të mirë për këtë rast e ka thënë vetë kryeministri Rama, duke nënvizuar faktin se pavarësisht rritjes shumë të ndjeshme të fondeve për blerjen e hereceptinës në harkun kohor të katër viteve, ende ka pacientë që nuk e marrin mjekimin kur u duhet.
Në 2017 vetëm për herceptinën janë shpenzuar rreth 2 milionë euro.
Në 2013 janë shpenzuar rreth 500 mijë euro. Por ja që edhe 2 milionë euro nuk mjaftokan. Nevojat vlerësohen të jenë rreth 2,4 milionë euro.
Megjithatë ajo që më bezdis këto ditë, janë deklarimet e disa politikanëve, midis të cilëve, ka nga ata që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë, të paktën për rastin e herceptinës, që pacientet shqiptare nuk kanë furnizim të vijueshëm.
Në ditët e fundit të detyrës sime si ministër i shëndetësisë, u përpilua projekti i listës së barnave të rimbursueshme 2017, ku midis të tjerash herceptina u përfshi në projekt.
U përfshi, pasi në tregun botëror por edhe në Shqipëri ishte prezent një formëdozë e re e herceptinës e cila merrej vetëm në 10 minuta në kushte ambulatore dhe jo 4 orë në një poltronë të spitalit ditor.
Ndërsa kostoja vjetore nuk ishte më 2,4 milionë euro, por 2,1 milionë euro, pra 300 mijë euro më pak.
Miratimi i listës së barnave të rimbursueshme u vonua, pasi ministri drejtësisë prill/maj 2017 bllokoi miratimin e listës jo për arsye juridike por për interesa të drejtpërdrejta të shpërndarësve farmaceutike.
Është tejet bezidëse për mua të dëgjoj sot predikime për mungesa të sistemit shëndetësor shqiptar nga i njëjti indivd. Më tej, siç dihet, erdhën ministrat teknikë, dhe për herë të parë që prej 1995 nuk patëm listë të re barnash të rimbursueshme për vitin 2017”,- tha Ilir Beqaj.