Kemi hyrë në vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe tashmë veç aktiviteteve të shumta, nuk po mungojnë as kritikat. Studiuesi Auron Tare ka folur me tone të ashpra për gjendjen e Krujës, ndotjen e krijuar nga guroret dhe furrat e gëlqeres.
STATUSI I AURON TARES:
Kam një javë që kudo që e kthej TV shikoj debate të ethshme për Skënderbenë. Debate pa fund, shpjegime, të reja, të vjetra fakte etj. Do ketë ekspozita, ceremoni mbjellje pemësh për Skënderbenë, libra, forume, dokumentare etj etj. DMTH autobusi i famshëm i Kuçit këtë herë ka marrë brenda specialistët e Skënderbeut.
Hem, ore njerëz, në vend që të ulim kokën të na vijë turp për atë që i kemi bërë Krujës nuk lëmë televizorë pa dalë për të folur për Skënderbenë. Po ç’duam ne me Skënderbenë?
Skënderbenë e duan ata njerëz që ia mbrojnë, ja respektojnë trashëgiminë kulturore të tij. Brezi ynë dhe ai që po vjen pas ia bëri malet e Krujës gurore, ia preu pyjet dhe vreshtat duke i bere pallate, ja prishi pazarin e bukur të Krujës dhe e mbushi kalanë me lokale. Kushdo që vjen me avion në Tiranë habitet nga shkatërrimi i peizazhit të Krujës, nga fabrikat e çimentos dhe furrat e gëlqeres. Në një vend tjetër Kruja do ishte një qendër e rëndësishme pelegrinazhi botëror për madhështinë dhe historinë e lavdishme mesjetare. Lëreni Skënderbenë atje ku është në parajsë se edhe atij i vjen turp për atë që ne pasardhësit i bëmë qytetit të cilin ai e mbrojti me shpatë në dorë.