Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga pranvera qytetarët shqiptarë do të ndjejnë përmirësime të akseve rrugore. Gjatë prezantimit të flotës së solidaritetit, me makineri që do të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve.
Rama tha se duhet të marrë fund historia e rrugëve që bllokohen nga dëbora, vetëm sepse mungon mirëmbajtja e tyre.
“Kompanitë e mirëmbajtjes do të jenë edhe bërthama e Flotës së Solidaritetit, si një garanci për reagimin e shpejtë dhe efikas në çdo situatë, duke garantuar kalueshmërinë e akseve kombëtare pavarësisht motit të rënduar”– tha Rama gjate takimit te sotem.
“Jemi të kënaqur që me kompanitë kemi mirëkuptim të plotë që historia legjendare e peripecive të rrugëve që mbyllen se bie borë do përfundojë, bora të bjerë, por kompanitë të zgjidhin problemin si zgjidhet në cdo vend ku bie borë, me gjithë atë sistem të parashikuar me kripëzimin dhe mjetet në dispozicion dhe kjo duhet të jetë A-ja në raport me garantimin e gjithë shërbimeve dhe lëvizshmërisë së qytetarëve edhe në mot të vështirë”.
Rama theksoi se me prefektët është biseduar që bërthamës së flotës së solidaritetit, do ti shtohen jo vetëm 58 kompanitë, po edhe sipërmarrje të tjera që do të regjistrohen.
Ai nuk la pa goditur Drejtorinë e Rrugëve. “Agjencia e rrugëve ka shumë probleme të ndryshme dhe sëmundje të brendshme për të zgjidhur. Ministri i Infrastrukturës i ka kërkuar prokurorisë hapjen e një procesi penal për një abuzim kolosal dhjetëra miliona euro si pasojë e papërgjegjshmërisë së kësaj agjencie, bëhet fjalë për një krim të rëndë dhe të tilla ju mund të dëshmoni, jemi të vendosur ti japim fund kësaj epoke”- tha ai.
a.ç