Gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj ka zhvilluar një takim me homologen e saj Drejtoreshën e Përgjithshme të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë Greke, Gjeneral Lejtnant Zaharoula Tsirigoti, ku kanë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ngushtë midis dy Drejtorive të Kufirit, patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale ndërkufitare.
Në fjalën e saj Drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj ka shprehur mirënjohjen e saj dhe ka falënderuar homologen për bashkëpunimin e mirë, ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë Policisë Kufitare Shqiptare. Gjithashtu ajo theksoi se forcimi i bashkëpunimit midis Drejtorive lokale të Kufirit ka për qëllim shkëmbimin e informacionit dhe objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar.
Gjithashtu homologia e saj Greke ka nënvizuar masat e marra në luftën kundër krimit të organizuar në rajonet kufitare. Ajo nënvizoi se Patrullimi i përbashkët dhe shkëmbimi i informacioneve që bëhet ndërmjet dy shërbimeve policore, ka sjellë rezultate pozitive në arrestimin e personave njëkohësisht dhe në sekuestrimin e lëndëve narkotike.
Znj. Hajnaj dhe znj. Tsirigoti kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe rezultatet e arritura nga aplikimi i mirë i masave të përbashkëta.
Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj:
“Falënderojmë Drejtoreshën Tsirigoti për bashkëpunimin e mirë, ndihmën dhe mbështetjen që i ka dhënë Policisë Kufitare Shqiptare.
Takimi i sotëm në Kapshticë është në vijim të takimeve që janë zhvilluar edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar dhe ky takim tregon bashkëpunimin shumë të mirë që ne kemi midis dy palëve të Policisë Kufitare Shqiptare dhe Policisë Kufitare Greke.
Në takimin e sotëm u diskutuan çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ngushtë midis Drejtorive lokale të kufirit të të dy palëve, patrullimet e sinkronizuara që janë vendosur dhe që po zbatohen nga të dyja palët, në Kufirin e Gjelbër si dhe në pikat e kontaktit.
Gjithashtu në takimin e sotëm u diskutua dhe në parim ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, e cila do të fillojë me Kakavijën dhe pastaj do të zbatohet në të gjitha pikat e tjera që janë në kufirin me Greqinë.
Vendosja e patrullimeve të sinkronizuara në kufirin e gjelbër që nga muaji Nëntor dhe në vazhdim, ka ndikuar në parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminiale ndërkufitare.
U theksua forcimi i bashkëpunimit midis Drejtorive lokale të Kufirit me qëllim shkëmbimin e informacionit, dhe me objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar”.
Drejtoresha e Përgjithshme e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë Greke, Gjeneral Lejtnant Zaharoula Tsirigoti:
“Në kuadrin e takimeve të koordinuara u takuam sot që të vlerësojmë bashkëpunimin e deritanishëm, që inaguruam nga Gushti i Vitit 2017, të vlerësojmë masat që kemi marrë për luftën kundër krimit të organizuar në rajonet kufitare.
Konstatuam me homologen time, se patrullimi i përbashkët ka sjellë rezultate pozitive.
Më shumë akoma ka sjellë takimi i grupeve të punës dhe i pikave të kontaktit që kemi përcaktuar si dhe shkëmbimi i informacioneve që bëhet ndërmjet dy shërbimeve policore, ku ka patur si rezultat arrestimin e personave, njëkohësisht dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike.
Objektivi ynë i ardhshëm është plotësimi i kuadrit ligjor për qendrën e përbashkët të kontaktit policor dhe bashkëpunimit doganor në Kakavije dhe vazhdimin e masave që tani jemi duke zbatuar, patrullime të përbashkëta dhe takimet e përbashkëta që po zhvillohen në luftë kundër kriminalitetit.
Bashkëpunimi i përditshëm të cilin kemi përcaktuar me kontaktet e Drejtorive Vendore Ndërkufitare, kontrolli i dalje dhe hyrjeve, kishte si rezultat lëvizjen e fluksit të madh si gjatë periudhës së festave të fundvitit po ashtu dhe nga fillimi i Janarit, një lëvizje e cila ka arritur në 90 mijë shtetas që kaluan kufirin nga Shqipëria për në Greqi.
Ky bashkëpunim midis shërbimeve vërtetoi se midis nesh mund të zgjidhim çdo lloj problemi, dhe arritëm që të kalojmë të gjithë ata mijëra qytetarë pa vonesa nga kufiri.
Do të doja të falënderoja homologen time për bashkëpunimin e deritanishëm për të cilin jam e bindur që do të vazhdojë dhe në të ardhmen”.
Në përfundim të takimit janë inspektuar të dy pikat e kalimit kufitar Shqiptar dhe atij grek, ku drejtuesit lokalë të kufirit kanë dëshmuar dhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë midis dy vendeve.
a.ç