Në një aktivitet të zhvilluar ditën e sotme u çel sipari i “Vitit të Skënderbeut” në nder të 550 vjetorit të heroit kombëtar.
Në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Kongreseve, kryeministri Edi Rama mori fjalën duke folur me superlative për figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
“Viti i Skëndërbeut, jubilar për të gjithë shqiptarët. Skënderbeu është një histori suksesi. Për vetë heroin tonë ka një dashuri të madhe kudo në botë. Ai është një figurë themelore për të gjithë shqiptarët. Në këtë hapësirë në këto ditë ndoshta nuk mund të ekspozohet gjithçka, unë them një shprehje latine “venite e vedete” (ejani dhe shihni).
Nuk mund të lë pa përmendur që sot 150 arbëresh kanë ardhur në tokën mëmë për të kujtuar figurën më të lartë të historisë. Shumë prej tyre vijnë për herë të parë në Shqipëri, pasi po mundohemi që të ngjisim copëzat e pasqyrës së thyer të Skënderbeut. Të gjithë së bashku ne do i presim të gjithë arbëreshët, që sjellin këtu komunitetin e tyre. Në samitin e diasporës, në nëntor do të sjellë të gjithë bijat dhe bijtë e Skënderbeut kudo që janë,” u shpreh ai.