Deputetë të PD dhe LSI kanë mbledhur firmat për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjin, në bazë të të cilit zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm.
Qëllimi sipas opoziitës është për t’i dhënë fund antikushtetueshmërisë së zgjedhjes së kryeprokurorit. Amendamenti parashikon zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm me 3/5 e votave ne Kuvend dhe Vetting, derisa të ngrihet KLP.
Propozimi i parë kërkon ndryshimin e nenit 109 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, ndërkohë, ai për Kushtetutën kërkon amendimin e pikës 13 të nenit 179 të saj.
Ky nen është: “Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit”.
Amendimi i propozuar: “Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm. Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar. Kandidatët i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar dhe me përparësi ndaj të gjithë subjekteve të tjera të rivlerësimit. Rregullat e detajuara për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm dhe afatet për realizimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe rivlerësimit kalimtar të tyre përcaktohen me ligj”.
a.ç